E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministri Nishani: “Legjislacioni po hartohet në përputhshmëri me standardet evropiane”



Arben Muka
Ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani, thotë në intervistë me Dojçe Velen se përputhshmëria legjislative e Shqipërisë me BE-në është një standard permanent. Nishani e konsideron si mjaft të frytshëm dhe ndihmën e Gjermanisë. Përafrimi i legjislacionit shqiptar me atë të standardeve europiane është një nga prioritetet e qeverisë shqiptare në procesin e integrimit në BE. Ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani, thotë se çdo akt ligjor, jo vetëm i hartuar nga institucioni i tij, por dhe nga të tjerat, para se të shkojë për diskutim e miratim në Parlament, duhet të krahasohet me përputhshmërinë që ai ka me legjislacionin e BE-së. Ministritë e linjës që hartojnë projektligje kanë një drejtori të posaçme të integrimit europian. Sipas Nishanit, kjo strukturë bën ekspertizën e përputhshmërisë ligjore. “Në këtë kuadër, në Ministrinë e Drejtësisë funksionon së pari Drejtoria e Kodifikimit, brenda së cilës ka një sektor për përafrimin e legjislacionit me atë të BE-së dhe me standardet e tjera që kërkon Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit e nënshkruar nga Shqipëria me këtë organizëm. Pastaj është dhe Ministria e Integrimit Europian, së cilës i kërkohet mendimi për çdo projektligj që propozohet të kalojë në Parlament, pikërisht për këtë përputhshmëri”, - pohon ai.
Ndihmat e misionit EURALIUS
Veç kësaj, Bujar Nishani përmend dhe asistencën prej vitesh që iu bë grupeve të punës të ekspertëve shqiptarë në hartimin e projektligjeve organike, që është misioni EURALIUS, që mbështetet nga BE-ja. “Përmes ekspertizës së tij ai ofron të gjitha rekomandimet përmes edhe oponencës ligjore për të tëra draftet që hartohen në Ministrinë e Drejtësisë. EURALIUS nuk fokusohet vetëm te ligjet dhe te Ministria e Drejtësisë, por dhe në institucione e operatorë të tjerë të sistemit të Drejtësisë, siç është Prokuroria e Përgjithshme, për aktet që bëhen nga ky institucion, Këshilli i Lartë i Drejtësisë e në operatorë e agjenci të tjera të sistemit të Drejtësisë”, - shpjegon ai.
Gjatë intervistës me Dojçe Velen, ministri i Drejtësisë i referohet dhe tri ligjeve më të rëndësishme të kohëve të fundit, që janë në përputhje të plotë me legjislacionin europian. Keto janë: ligji për antimafien, apo dhe ligji tjetër për bashkëpunimin juridiksional me jashtë. Ky ndihmon drejtpërdrejt në forcimin e bashkëpunimit mes institucioneve dhe agjencive të Shqipërisë me ato të vendeve partnere. Për ekstradimet e personave me precedentë penale, për njehsimin e vendimeve gjyqësore etj. Aktualisht në duart e ekspertëve vendas dhe të huaj është projektligji i Policisë Gjyqësore, që pritet të japë lehtësim në komunikimin e kooperimin mes Policisë së Shtetit, Prokurorisë dhe Policisë Gjyqësore në të gjithë fazën e hetimit.
Bashkëpunimi me Gjermaninë
Ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani, e përshkruan si të frytshëm bashkëpunimin me Gjermaninë. Partneriteti, sipas tij, ka qenë jo vetëm në kuadër të programeve e projekteve të BE-së, por dhe e drejtpërdrejtë. Për afër një vit, Ministria e Drejtësisë ka pasur një këshilltar nga Gjermania pranë ministrit, i cili u fokusua në inspektoratet e këtij institucioni. “Ka përfunduar një punë jashtëzakonisht të vlefshme për Ministrinë e Drejtësisë. Ka adresuar rekomandimet e tij, të cilat do të jenë pjesë e punës për hartimin e ligjit për Këshillin e Lartë të Drejtësisë”, - thotë Nishani. Gjithashtu, Dhoma Kombëtare e Avokatisë është duke punuar me ekspertë gjermanë për përmirësimin e punës së dhomave të avokatisë dhe lidhjet e tyre me shërbimin që duhet të ofrojnë zyrat e pasurive të paluajtshme për qytetarët shqiptarë. Kjo përbën dhe një prioritet të punës së Ministrisë së Drejtësisë, thotë Nishani. Ai veçon dhe kontributin e Gjermanisë në trajnimin e personelit të institucionit që ai drejton. “Ne do të dëshironim dhe jemi të gatshëm për ta thelluar edhe më shumë bashkëpunimin për të përfituar nga një eksperiencë jashtëzakonisht e madhe dhe e konsoliduar që ka sistemi politik, sistemi gjyqësor sistemi i Drejtësisë në shtetin gjerman”, - thotë Bujar Nishani.

27 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›