E Diel, 1 Nëntor 2026

Ushtria greke, thirrje antishqiptare në Ditën e Pavarësisë



ATHINË – Ushtria greke shënoi dy ditë më parë skandalin e radhës në manifestimet zyrtare të mbajtura me rastin e Ditës së Pavarësisë. Gjatë parakalimeve në festën kombëtare të Greqisë, ushtarët grekë kanë lëshuar thirrje raciste kundër Shqipërisë dhe shqiptarëve. "Grek lind, nuk bëhesh kurrë, gjakun do të derdhim o derr shqiptar!”. Kjo ka qenë një nga thirrjet gjatë manifestimit në Ditën e Pavarësisë në Greqi. Dhe sikundër komentoi dje “Elefterotipia”, gazeta më e madhe greke, thirrjet skandaloze erdhën në qendër të Athinës jo nga anëtarët e demonstruesve Hrisi Avgji, por nga Forcat Speciale Zhytëse në Universitetin “Shën Konstandinit”, në paradën zyrtare ushtarake të 25 marsit.
Gjithçka ka ndodhur pardje në qendër të kryeqytetit grek, Athinë. Forcat Speciale të Ushtrisë greke (ΟΥΚ), zhvilluan paradën zyrtare ushtarake të 25 marsit. Ndërkohë që parakalonin sipas procedurës, ka shpërthyer mes tyre kënga “Grek lind, nuk bëhesh kurrë, gjakun tënd do të derdhim mor derr shqiptar”.
Këto dhe të tjera thirrje rrëqethëse u dëgjuan dy ditë më parë në mes të Athinës. Thirrja tjetër e këngës horror ishte: “Do të bëhet kasaphanë, pastaj do të hakmerrem, kur të adhuroni kishën dhe kryqin”. Më tej vijuan dhe frazat për ne shqiptarët dhe për fqinjët e tjerë: “U thonë shkupjanë, u thonë shqiptarë, rrobat e mia do të qep me lëkurën e tyre”. Dëshmitarët treguan se thirrjet u përkrahën edhe nga njerëz të politikës greke, të cilët ndoqën paradën ushtarake së bashku me qytetarët grekë. “Një prej burrave politikanë madje u priu Forcave Speciale duke thirrur dhe ai së bashku me ta e duke u paraprirë atyre me thirrje i pari”, - raportoi “Elefterotipia”. Ndërkohë që menjëherë pas bërjes publike të këtij skandali ka reaguar Ministria për Mbrojtjen e Qytetarëve dhe Roja Bregdetare, të cilat kanë pranuar se ishin forcat e saj që u përfshinë në këtë ngjarje të rëndë antishqiptare dhe identifikuar edhe ushtarakun e lartë që i priu parullave raciste antishqiptare. “Lidhur me sloganet raciste të shprehura dje (pardje), më 25 mars, nga një grup i Rojës Bregdetare me uniformë gjatë paradës ushtarake për të festuar përvjetorin e festës kombëtare, njoftojmë vendimin se shefi i OS (Rojet Bregdetare), zëvendësadmirali Athanasios Bousiou urdhëroi fillimin e hetimeve administrative nga zyrtarë të saj për të identifikuar shkaqet dhe rrethanat e ngjarjes”, - thuhet në një deklaratë zyrtare të lëshuar nga Ministria për Mbrojtjen e Qytetarëve.

27 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›