Udhëzimi i ri, si do të bëhet kontrolli teknik i automjeteve rrugore
Ministria e Transporteve ka nxjerrë së fundi udhëzimin e ri për mënyrën e realizimit të kontrollit teknik të automjeteve rrugore dhe rregullat e reja që duhet të zbatojnë shoferët. Në këtë udhëzim jepen edhe detyrimet që duhet të zbatojnë drejtuesit e automjeteve rrugore në mënyrë që të mos penalizohen nga Policia Rrugore. Sipas udhëzimit të firmosur nga ministri i Transporteve Olldashi, të gjitha mjetet rrugore që regjistrohen dhe qarkullojnë në Republikën e Shqipërisë, i nënshtrohen kontrollit teknik të detyrueshëm. Kontrolli teknik i detyrueshëm i mjeteve rrugore përfshin kontrollin teknik vjetor dhe kontrollin teknik periodik. Afati kohor i kryerjes së kontrollit vjetor është 1 vit dhe kryhet për të gjitha mjetet rrugore të përcaktuara në Kodin Rrugor të Republikës së Shqipërisë. Afati kohor i kryerjes së kontrollit teknik periodik është 6 muaj pas kryerjes së kontrollit teknik vjetor dhe është i detyrueshëm për taksitë; mjetet rrugore, që përdoren për qëllime mësimore në autoshkolla; autoambulancat; autoveturat me 8+1 vende, duke përfshirë dhe vendin e drejtuesit të mjetit; autobusët dhe mjetet rrugore që përdoren për transportin e mallrave të rrezikshme.
Manuali
Sipas udhëzimit të ri të Ministrisë së Transporteve, kontrolli teknik i makinave do të kryhet sipas një manuali që vjen në përputhje me direktivat e BE-së. Ky manual përfshin të gjitha kushtet teknike të kontrollit të mjeteve rrugore, elementet mbi të cilat kryhet ky kontroll, si dhe mënyrën e diagnostikimit për funksionimin normal të tyre. “Manuali i kontrollit të mjeteve” ka 3 kapituj. Kapitulli i parë përfshin kontrollin teknik të detyrueshëm të autoveturave dhe mjeteve rrugore me peshë maksimale me ngarkesë deri në 3.5 tonë. Në kapitullin e parë përcaktohen elementet për të cilat duhet të kryhet kontrolli teknik i mjeteve rrugore me motor dhe rimorkiove, që përfshihen në kategoritë ndërkombëtare, që kanë të paktën 4 rrota, të destinuara për transport njerëzish dhe që nuk kanë më shumë se 8 ndenjëse, përveç ndenjëses së drejtuesit të mjetit. Po kështu në këtë kapitull bën pjesë kategoria N1, që përfshin mjete me motor që kanë të paktën 4 rrota, të destinuara për transport mallrash dhe që kanë peshë maksimale me ngarkesë jo më të madhe se 3.5 tonë. Kategoria O1, rimorkio me peshë maksimale me ngarkesë jo më të madhe se 0.75 tonë. Kategoria O2, rimorkio me peshë maksimale me ngarkesë më të madhe se 0.75 tonë dhe jo më të madhe se 3.5 tonë. Në kapitullin e dytë të manualit përfshihet kontrolli teknik i detyrueshëm i autobusëve dhe mjeteve rrugore me peshë maksimale me ngarkesë mbi 3.5 tonë. Në kapitullin e dytë përcaktohen elementet për të cilat duhet të kryhet kontrolli teknik i mjeteve rrugore me motor dhe rimorkiove, që përfshihen në kategoritë ndërkombëtare që përfshin automjete me ngarkesë më të madhe se 10 tonë. Ndërsa në kapitullin e tretë përfshihet kontrolli teknik i detyrueshëm i motomjeteve.
Vlerësimi
Gjatë kontrollit dhe vlerësimit të gjendjes teknike të mjeteve rrugore gjendja teknike e tyre mund të rezultojë pa mangësi dhe pa defekte. Në këtë rast, kontrollorët lëshojnë raportin e kontrollit teknik, lëshojnë certifikatën e kontrollit teknik të plotësuar, me vlefshmëri 1-vjeçare; plotësojnë dhe vulosin lejen e qarkullimit si dhe vendosin në mjetin rrugor pullën e kontrollit teknik. Në rast se pas kontrollit automjeti rezulton me mangësi apo defekte dytësore, që nuk paraqesin rrezik për sigurinë rrugore, ndotjen e mjedisit dhe nuk shmangin respektimin e kushteve teknike të kontrollit të mjetit rrugor kontrollorët lëshojnë raportin e kontrollit teknik; bëjnë prezent te drejtuesi i mjetit rrugor mangësitë apo defektet e konstatuara; lëshojnë certifikatën e kontrollit teknik të plotësuar, me vlefshmëri 1-vjeçare; plotësojnë dhe vulosin lejen e qarkullimit, si dhe vendosin në mjetin rrugor pullën e kontrollit teknik. Në rast se automjeti rezulton me mangësi apo defekte të rënda që përbëjnë rrezik serioz dhe të palejueshëm për sigurinë e qarkullimit dhe identitetin e mjetit, në këtë rast, kontrollorët lëshojnë raportin e kontrollit teknik, me vlefshmëri 1 muaj, jo për të qarkulluar mjeti rrugor, por për të pasur kohë për riparimin e defekteve; bëjnë prezent te drejtuesi i mjetit rrugor rezultatin “negativ” të kontrollit teknik dhe mangësitë apo defektet e konstatuara, të cilat duhen eliminuar për të hyrë në rikontrollin e mjetit. Nëse nga rikontrolli konstatohet se mangësitë apo defektet janë eliminuar, pra kemi rezultat “pozitiv” të kontrollit teknik, atëherë kontrollorët lëshojnë raportin e kontrollit teknik; lëshojnë certifikatën e kontrollit teknik të plotësuar, me vlefshmëri 1-vjeçare; plotësojnë dhe vulosin lejen e qarkullimit si dhe vendosin në mjetin rrugor pullën e kontrollit teknik. Procedurat e përshkruara më lart zbatohen si për kontrollin teknik vjetor, ashtu dhe për kontrollin teknik periodik.
Tarifat për kontrollin teknik të detyrueshëm
Tarifat e rikontrollit teknik të mjeteve rrugore janë si më poshtë:
1-Në rast të rikontrollit teknik të parë brenda një periudhe prej 30 ditësh nga dita e kontrollit teknik të parë, është 40% e tarifës së kontrollit teknik të miratuar nga Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, në rast të përdorimit të linjave të kontrollit dhe është 20% e tarifës së kontrollit teknik të miratuar nga Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, në rast të mospërdorimit të linjave të kontrollit.
2-Për çdo rikontroll teknik të mëpasshëm, pavarësisht numrit të tyre brenda periudhës prej 30 ditësh nga dita e kontrollit të parë, tarifa e rikontrollit teknik është 50% e tarifës së kontrollit teknik të miratuar nga Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, në rast të përdorimit të linjave të kontrollit dhe është 20 % e tarifës së kontrollit teknik të miratuar nga Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, në rast të mospërdorimit të linjave të kontrollit.
3- Çdo rikontroll teknik i kryer pas periudhës 30-ditore të lartpërmendur do të konsiderohet kontroll nga e para dhe për pasojë do të aplikohet tarifa e plotë e kontrollit teknik të miratuar nga Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit.
27 Mars 2010