E Diel, 1 Nëntor 2026

Marrëveshja, eurozona ndihmon me kushte Greqinë



BE mbështet Greqinë. Në samitin në Bruksel 16 shtetet e eurogrupit ranë dakord për një plan emergjent gjermano-francez për vendet e eurozonës në vështirësi. Në këtë mënyrë u jepet fund spekullimeve për falimentimin grek. Kthesa erdhi më parë nga ç'pritej dhe Angela Merkel ka arsye të jetë shumë e kënaqur. Propozimi gjermano-francez, të cilin e aprovuan të gjithë anëtarët e eurogrupit, parashikon një pjesëmarrje të FMN-së në kreditë e mundshme për Greqinë e zhytur në borxhe përveç parave, që do të vinin në dispozicion vendet e BE-së. Deri para pak kohe Gjermania ndodhej e izoluar me kërkesën për pjesëmarrjen e FMN-së.

Greqia merr frymë e lehtësuar
Kryeministri grek Jorgos Papandreou u shpreh kështu: "Evropa ka bërë një hap të madh. Sot ne kemi marrë një vendim jo vetëm për Greqinë". Edhe presidenti i ri i Këshillit të BE-së, Herman Van Rompuy, i cili drejtoi për herë të parë zyrtarisht një samit të BE-së, u shpreh i kënaqur në lidhje me kompromisin. "Plani ndryshe nga një fond evropian ndihme nuk cenon legjislacionin aktual të BE-së. Rëndësi në këtë moment ka një mesazhi i qartë politik nga Bruksel",- tha Van Rompuy. Eurozona asnjëherë nuk do ta linte në baltë Greqinë, tha ai. As për Greqinë dhe as për vendet e tjera të eurozonës në vështirësi nuk është interesante hyrja në fuqi e planit të emergjencës. Kushtet, me të cilat do të lidheshin kreditë e mundshme janë të rrepta. Së pari të gjitha vendet e euros duhet të aprovojnë njëzëri, që një vend nuk mund të marrë më kapital të mjaftueshëm në tregun financiar. Në qoftë se FMN-ja dhe vende të tjera evropiane do të jepnin para, përqindjet nuk janë të subvencionuara, pra para e shtrenjtë. Por ky mekanizëm duhet të përdoret vetëm në rast absolut emergjent dhe pas vendimit unanim të euro-grupit. Presidenti i Francës Nicolas Sarkozy u shpreh: "marrëveshja që kemi arritur është në radhë të parë e natyrës preventive. Synimi është natyrisht, të mos lejojmë që plani të ketë nevojë të zbatohet".

Plani i zbatueshëm vetëm në rast nevoje
Në rastin e Greqisë shuma e kredisë vlerësohet të jetë deri në 30 miliardë euro. FMN-ja nuk do të merrte përsipër as gjysmën e saj. Por asnjë në Bruksel nuk mendon se plani i emegjencës do të hyjë me të vertetë në fuqi. Edhe Jean-Claude Juncker, shefi i euro-grupit, beson në kursin e reformave të grekëve. “Programi grek i konsolidimit është aq i besueshëm, sa që nuk është nevoja për asnjë lloj ndihme, por ne duhet të binim dakord për një instrument, për rastin, sikur tregjet financiare të mos pranojnë arsye". Tregjet duhet të qetësoheshin tani me gjithë kurset e euros në rënie. Me qëllim që në të ardhmen të veprohet më mirë me krizat, si ajo e Greqisë, politikanët kryesorë në Bruksel ranë dakord edhe për një udhëheqje ekonomike evropiane. Kjo duhet të përbëhet nga anëtarët e Këshillit Evropian, nga të 27 kryetarët e shteteve dhe të qeverive të BE. Nga rasti i Greqisë duhen nxjerrë mësime, tha kancelarja gjermanen Angela Merkel. "Në cilat rrethana dhe kur ndjehemi se jemi përgjegjësi? Dhe ne duhet të vrasim mendjen, dhe për ketë unë do të kujdesem. Çfarë mësimi nxjerrim ne nga kjo situatë, sepse në fakt ne nuk duhet të arrijmë në një situatë të tillë". Euro-grupi do të arrijë tani një kontroll të përmirësuar të buxheteve të vendeve të BE-së. Nën drejtimin e presidentit të përhershëm të Këshillit, Herman Van Rompuy një grup pune do të paraqesë deri në fund të vitit propozimet konkrete. Në grup do të bëjnë pjesë përfaqësues të shteteve anëtare, të komisionit të BE-së dhe të Bankës Qendrore Evropiane.

Autor: Suzane Henn/Bruksel
Marrë nga Dojçe Vele

Një marrëveshje franko-gjermane për Greqinë

Liderët evropianë arritën natën e kaluar një marrëveshje për një paketë shpëtimi për Greqinë, përfshi asistencën nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, si dhe hua bilaterale nga vendet anëtare të eurozonës. “Shpresojmë që kjo do t’i risigurojë gjithë zotëruesit e bonove greke se eurozona nuk do lerë kurrë Greqinë të dështojë”,- deklaroi Herman Van Rompuy, president i Këshillit Evropian. “Në rast se do të ketë ndofarë rreziku, do të ndërhyjnë anëtarët e tjerë të eurozonës”,- tha më tej ai. Marrëveshja vjen pas një rakordimi më herët gjatë ditës mes Francës dhe Gjermanisë, mbi parimet e procedurave të ndërhyrjes. Sipas akordit të arritur mes presidentit Nicolas Sarcozy dhe kancelares gjermane Angela Merkel, në rast se Athina do të gjendet “në vështirësi shumë serioze”, ajo mund të sigurojë hua të koordinuara bilaterale nga partnerët e eurozonës, si dhe asistencë nga FMN-ja, të cilët Franca më herët e kishte kundërshtuar. Van Rompuy deklaroi se do të kishte një mekanizëm të përbashkët mes vendeve anëtare të eurozonës dhe FMN-së. Sarkozi tha se, përmasat e financimit do të ishin në një raport prej 1/3 prej FMN-së dhe 2/3 nga eurozona. Jean-Claude Trichet, president i Bankës Qendrore Evropiane, i cili ka shprehur dyshime rreth përfshirjes së FMN-së, deklaroi se ishte “tërësisht i kënaqur” me marrëveshjen, e cila – tha ai – ruante përgjegjësitë e qeverive evropiane. Marrëveshja e tërhoqi eurozonën nga buza e humnerës së asaj që mund të kishte qenë një varg i dëmshëm mosmarrëveshjes lidhur me atë se si duhen ndihmuar anëtarët me probleme borxhi, si dhe mund të stabilizojë tregjet financiare, si edhe vetë monedhën e përbashkët. Ndihma do t’i nënshtrohet vlerësimit që do të realizohet nga BQE-ja dhe Komisioni Evropian, duke siguruar që BE-ja do të ruajë kontrollin e kushteve të operacionit të shpëtimit. Sidoqoftë, Berlini e fitoi betejën që kontributi i FMN-së të jetë “thelbësor”. Çdo vendim nga vendet e eurzonës për t’i dhënë hua Greqisë duhet të merret unanimisht, sipas tekstit të marrëveshjes, duke i dhënë efektivisht kështu Gjermanisë të drejtën e vetos. Marrëveshja franko-gjermane iu prezantua 14 liderëve të tjerë të eurozonës, të mbledhur në Bruksel në samitin e BE-së. Në rast se plani i shpëtimit merr jetë, anëtarët e eurozonës do të sigurojnë hua në bazë të pjesëve të kapitalit që ata zotërojnë në BQE, duke siguruar kështu që Gjermania do të jetë kontribuesi më i madh. Franca dhe Gjermania kanë kërkuar gjithashtu t’i bindin anëtarët e tjerë të BE-së për formimin e një “qeverie ekonomike” të Bashkimit, për të promovuar koordinimin më të fortë të politikave ekonomike. Zyrtarët britanikë deklaruar natën e kaluar se formulimi ishte ndryshuar nga qeveri ekonomike, në qeverisje ekonomike. Kryeministri Gordon Braun i frikësohet një reagimi nga shtypi euroskeptik, në rast se një frazë e tillë malcuese do të futej në komunikatën përfundimtare.

Papandreu: “Jemi të kënaqur nga BE-ja”

Marrëveshja e ndihmës që iu premtua Greqisë pas samitit të shteteve të Eurozonës, duket se i ka pëlqyer së tepërmi kësaj të fundit. Një fakt të tillë e ka pohuar vetë kryeministri grek, Jorgo Papandreu, sipas të cilit më në fund u vlerësuan përpjekjet dhe sakrificat e popullit grek për të kaluar këtë kohë të vështirë. "Jam shumë i kënaqur që më në fund u vlerësuan përpjekjet dhe sakrificat e popullit grek për të kaluar këtë kohë të vështirë krizë ekonomike dhe periudhë destabiliteti. Kjo marrëveshje është një zgjidhje jo vetëm për Greqinë por për të gjithë tregun europian",- u shpreh i kënaqur kryeministri grek. Sipas tij, Europa pati vendosmërinë që të tregohej e përgjegjshme në veprimet e saj. “Greqia së bashku me vendet e tjera të Eurozonës ka treguar dhe po tregon maturi në përballimin e kësaj krize së cilës shumë shpejt do t'i vijë fundi",- tha me besim Papandreu. Marrëveshja e arritur dje në Bruksel, parashikon asistencë të FMN-së për Greqinë, si dhe dhënie të kredive me norma të ulëta interesi.

Kancelarja Merkel: “Greqia ka tani mbështetje”

Kancelarja Angela Merkel e ka cilësuar planin emergjent të BE-së për Greqinë si të përshtatshëm. Bashkimi Evropian ka bërë me marrëveshje një kombinim të ndihmave të FMN-së dhe ndihmave bilaterale. “Me këtë ndihmë, Greqisë i është dhënë mbështetja e nevojshme në luftën kundër falimentimit kombëtar”,- tha Kancelarja Merkel në përfundim të samitit të BE-së në Bruksel. Më parë edhe Presidenti i Bankës Qendrore Evropiane, Jean-Claude Trichet, ka përshëndetur vendimin e vendeve të eurozonës për një koncept ndihme për Greqinë. “Vendi do të fitojë tani gjithnjë e më shumë besimin e tregjeve financiare dhe mund të marrë kredi me norma më të ulëta interesi se deri tani”,- tha Trichet.

Nevojitet urgjentisht një rend i ri ndërkombëtar financiar

Komisioni Ekonomik i Parlamentit Europian do ta modernizojë arkitekturën globale financiare. Për këtë arsye ai kërkoi këshillën e tre personave me ndikim në politikën financiare evropiane dhe ndërkombëtare. Tre nga personat me më ndikim në politikën financiare evropiane dhe ndërkombëtare dhanë përgjigje dhe këshilluan Komisionin Ekonomik të Parlamentit Eeuropian. Michel Barnier, si komisar i BE-së për tregun e brendshëm, është përgjegjës për rregullimin e tregjeve financiare evropiane, Presidenti i Bankës Qendrore Italiane, Mario Draghi, si dhe Dominique Strauss-Kahn, shefi i Fondit Monetar Ndërkombëtar. Që të tre mendojnë se rasti për të krijuar një rend financiar ndërkombëtar, ka qenë rrallë kaq i përshtatshëm sa tani. Edhe ky rast nuk do të vijë shpejt përsëri. Shefi i FMN-së, Dominique Strauss-Kahn mendon se historianët e mëvonshëm do ta vlerësojnë pikën kulmore të krizës financiare si unikale, jo vetëm për shkak të peshës së rëndë të krizës, por edhe për faktin se si kanë reaguar shtetet.

27 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›