E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Stop drogës, ne duam të jemi në Europë",



Odise Kote

E cilësuar si Kolumbia shqiptare e drogës, Lazarati e rendit Shqipërinë në top-listën e vendeve prodhuese, eksportuese e trafikuese të lëndëve Cannabis-sativa. Çdo vit plantacionet e mbjella me bimë narkotike në Lazarat përbëjnë një nga bazat më të rëndësishme të trafikut të drogës që lulëzon në këtë pjesë të Ballkanit Jugor. Prej shumë vitesh Policia shqiptare nuk hyn dot në Lazarat, nuk e godet dot kultivimin e lëndëve narkotike e për rrjedhojë, rezultatet e luftës kundër drogës në rajon janë spontane. Për t’i prerë rrugën këtij fenomeni është ngritur një komitet antitrafik në përbërje të të cilit janë struktura të shtetit, ligjit, Drejtësisë, pushtetit vendor e shoqërisë civile. Prefektja e qarkut Gjirokastër, njëherësh dhe kryetare e Komitetit Antitrafik, Mimoza Çomo, thotë se "jemi të gjithë të interesuar e të impenjuar që ky fenomen të minimizohet".
Në konferencën rajonale kundër kultivimit të lëndëve narkotike në Gjirokastër, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, ishte i drejtpërdrejtë në paralajmërimin e tij kur tha se "banorët e fshatit Lazarat duhet të ndërgjegjësohen se tashmë ka ardhur koha që dhe në këtë fshat ky fenomen të marrë fund".
Vetë kryetari komunës Lazarat, Dasho Aliko, që shpesh është parë si protagonist ngjarjesh që lidhen me këtë fenomen, u ka bërë thirrje bashkëkomunarëve të tij që "të largohen nga ky fenomen sepse Lazarati s'mund të bëhet pengesë e integrimit të Shqipërisë".
Fenomeni “Lazarat” nuk duhet të sugjestionojë askënd, ka thënë ministri i Punës e Shanseve të Barabarta, Spiro Ksera. Fenomeni “Lazarat” evitohet nëse të gjithë zbatojnë ligjin. Duke kritikuar neglizhencën e strukturave të shtetit, ai është shprehur se "ka ardhur koha që të zbatojmë ligjin, pasi nëse secili prej nesh merr përgjegjësisë e duhura që ia cakton ligji, ky fenomen shumë shpejt do të evitohet".
Po në Lazarat, prej kohëve që nuk mbahet mend, Policia e Shtetit nuk hyn, për rrjedhojë, nuk ka si të veprojë. Në përgjigje të këtij realiteti, ministri Brendshëm Lulzim Basha është shprehur se kjo kohë do të marrë fund. “Kam në xhep planin operacional, - ka thënë ministri Basha, - dhe kultivuesit, trafikuesit e drogës do të ndëshkohen. Nuk do jetë shteti i izoluar, por të izoluar e prapa hekurave janë e do të jenë ata që e mbollën këtë tregti, e që përfitojnë nga kjo tregti. Ai grusht njerëzish do të ndiejë fort peshën e ligjit e do të përballet me ligjin çdo ditë, çdo javë, çdo muaj në muajt që vijnë".
Ambasadori i OSBE-së në Shqipëri, Robert Bosh, ka vlerësuar përpjekjet e qeverisë shqiptare për të luftuar trafikun e drogës: "Besoj se situata tani është përmbysur, ka përmirësime. Qeveria është e vendosur ta fitojë këtë betejë, por duhet thënë se përveç përpjekjeve të mëdha për të luftuar fenomenin, ka vend për më shumë përfshirje të strukturave të pushtetit vendor e të shoqërisë civile".
Ambasadori OSBE-së në Shqipëri, Robert Bosh, u shpreh se lufta ndaj fenomenit të kultivimit të lëndëve narkotike është e lidhur drejtpërdrejt me të ardhmen europiane të vendit, liberalizimin e vizave dhe hapat e mëtejshëm drejt anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. (Dojçe Vele)

Shfrytëzonin prostitutat, pranga tre shqiptarëve

ITALI – Pranga tetë personave, mes të cilëve tre shqiptarë me akuzën e “shfrytëzimit të prostitucionit në rrethana rënduese. Mediat italiane bëjnë të ditur se tre shqiptarët e arrestuar janë Nazmi e Bledi Beholli dhe Endrit Caka. Hetimi që ka zgjatur rreth 7 muaj ka përfunduar ditën e djeshme me arrestimin e tetë personave të akuzuar për shantazhe e dhunë ndaj vajzave që janë shfrytëzuar për ushtrim prostitucioni. Gjashtë nga të arrestuarit ishin persona të njohur në qytet, pasi punonin si roje të sigurimit privat, ndërsa në anën tjetër korrnin fitime marramendëse nën shfrytëzimin e vajzave të robëruara. Ata u arrestuan në një festë ku ndodheshin së bashku me të dashurat e tyre, pasi gjykata lëshoi urdhrat e arrestit. Sipas policisë, tre shqiptarët ishin punësuar në bandë për mbikëqyrjen e rrugëve ku ushtronin aktivitetin vajzat e kontrolluara nga grupi, për të mos lejuar prostituta të tjera që të hynin në zonën e tyre. Çdo mbrëmje, tre shqiptarët mblidhni edhe paratë e fituara gjatë ditës nga vajzat. Policia italiane bëri të ditur se shuma që çdo prostitutë duhej të paguante çdo muaj te tutorët e saj ishte 300 euro. Në 2009-n, Policia njoftoi se gjendja lidhur me prostitucionin në Provincë ishte: 180 prostituta (150 të huaja), nga të cilat 35 në rrugë dhe 145 në 120 vendbanime.

Të arrestuarit
Nazmi Baholli
Bledi Baholli
Endrit Caka
Venco Stefanov
Gabriela Luçaçi
Gianfranco Arduino
Claudio Ognibene
Gentile Louis
Niset për të kaluar kufirin, por gjendet i vdekur në një kanal

GJIROKASTËR – Niset për të kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme, por gjendet i mbytur në një kanal kullues në fshatin Jorgucat. Bëhet fjalë për 41-vjeçarin Petref Kreci, i cili është gjetur ditën e djeshme. Policia e Gjirokastrës bën të ditur se Shërbimet Kufitare të Gjirokastrës kanë telefonuar te Salla Operative e Drejtorisë së Policisë së qarkut Gjirokastër se përballë fshatit Jorgucat, në kanalin kullues kryesor të fushës së Jorgucatit, është konstatuar një shtetas i mbytur.
“Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar forcat e Policisë së Drejtorisë së Policisë së qarkut Gjirokastër si dhe grupi hetimor së bashku me ekspertin mjeko-ligjor, ku ka rezultuar se:
përballë fshatit Jorgucat, në kanalin kryesor kullues të fushës së fshatit Jorgucat, në këmbën e një ure betoni, e cila ishte e thyer, është konstatuar trupi i pajetë i një shtetasi”, – bën të ditur Policia e Gjirokastrës.
Grupi hetimor ka kryer veprimet ku ka rezultuar se në trupin e viktimës nuk është konstatuar asnjë shenjë dhune, por shkaku paraprak i mbytjes rezulton të jetë vdekje aksidentale. “Viktima ka dashur të kalojë nga njëri krah i kanalit në tjetrin dhe si pasojë e errësirës ka rrëshqitur nga ura pasi gjysma e saj ishte e këputur dhe vendi ku është mbytur kishte shumë degë, plastmasë e mbeturina të tjera, por edhe niveli i ujit ishte i lartë atë ditë, pasi ka pasur reshje të mëdha shiu”, – njofton Policia.
Trupi i përket shtetasit Petref Kreci, i datëlindjes 1969, lindur në Buz të Tepelenës dhe banues në Sarandë, i martuar me dy fëmijë.
Sipas familjarëve të viktimës, të cilët janë marrë në pyetje, rezulton se Petref Kreci është larguar nga banesa më datë 16.03.2010, në mbrëmje, në drejtim të Kakavijës, pasi donte të kalonte kufirin në mënyrë të paligjshme për në Greqi.
Po sipas familjarëve dhe shtetasve që e kanë parë dhe njohur, ky person, rreth orës 21:00 të datës 16.03.2010, është parë në kthesën e fshatit Jorgucat duke lëvizur në drejtim të fushës së fshatit Jorgucat ku dhe është gjetur trupi i tij.
Njësiti i shërbimit të Policisë Kufitare ka kërkuar dje paradite së bashku me familjarët e viktimës përgjatë fushës së Jorgucatit, nga mendohej se mund të kishte kaluar. Rreth orës 13:00 kanë bërë të mundur gjetjen e kufomës në kanalin kullues. Policia njofton se po vazhdon puna për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje.

Aksidentoi për vdekje 79-vjeçarin, arrestohet shoferi

TIRANË – Aksidentoi dy ditë më parë për vdekje një 79-vjeçar, arrestohet shoferi i automjetit. Burime zyrtare të policisë thanë se u arrestua në flagrancë shtetasi Nezir Besim Kuqo, 55 vjeç, banues në Tiranë. Ky person, sipas policisë, u arrestua sepse dy ditë më parë, duke drejtuar automjetin tip “Kama”, me targë TR 5304 P, ndërsa po qarkullonte në rrugën “Ali Demi”, në drejtim të Shkozës, ka aksidentuar me vdekje këmbësorin 79-vjeçar Stavri Thimi Milo, me banim në Tiranë. Menjëherë pas aksidentit policia tha se grupi hetimor shkoi në vendin e ngjarjes duke ndaluar autorin e krimit, ndërsa materialet hetimore i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprën penale të “shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor”.

27 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›