E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zhduket pa lënë gjurmë 17-vjeçarja Erlinda Mulla



TIRANË – Zhduket prej një jave 17-vjeçarja Erlinda Mulla. Vajza është zhdukur në rrethana të paqarta nga banesa e saj në Paskuqan të Tiranës, pasi ka dalë nga shtëpia për të shkuar në dyqan. Kanë qenë familjarët e bashkëshortit të vajzës që kanë denoncuar në polici zhdukjen e nuses së tyre. Policia po heton në dy pista; atë të rrëmbimit dhe të largimit me dëshirë.

Ngjarja
17-vjeçarja Erlinda Mulla është zhdukur rreth një javë më parë nga shtëpia e saj në rrethana që ende janë të paqarta. E reja, që ende nuk i ka mbushur të shtatëmbëdhjetat, ishte e martuar dhe kishte një fëmijë. Shtëpia e saj ndodhej vetëm disa metra larg shtëpisë së prindërve, ndërsa bashkëshorti i saj jetonte në Itali. Ka qenë vjehrra e vajzës ajo që ka vënë alarmin për moskthimin në shtëpi të nuses. Sipas saj, Erlinda është larguar me rroba shtëpie dhe me shapka për të shkuar në dyqan. Por, pas një pritjeje të gjatë, vjehrra është shqetësuar dhe ka lajmëruar familjen e vajzës për zhdukjen e saj.
E ëma e vajzës është shprehur se ndihen shumë të shqetësuar për zhdukjen e vajzës së tyre dhe se kërkojnë ndihmën e policisë për gjetjen e saj. “Kemi njoftuar policinë dhe jemi shumë të shqetësuar. Çfarë do t’i ketë ndodhur? Ne duam që ajo të kthehet në shtëpi”, - thotë mes lotësh nëna e saj, Flamure Mulla.

Hetimet
Menjëherë pas marrjes së denoncimit për zhdukjen e 17-vjeçares Erlinda Mulla, Policia e kryeqytetit ka nisur punën për zbulimin e rrethanave të zhdukjes së saj. Nga dëshmitë e mbledhura nga të afërmit dhe personat që e kanë parë rezulton se ajo ka dalë nga shtëpia për të shkuar në dyqan, por nuk është kthyer më. Gjithashtu bëhet e ditur se ende nuk ka një pistë të qartë nëse bëhet fjalë për rrëmbim apo largim me dashje nga banesa, ndërkohë që po zbardhen tabulatet e telefonit celular, i cili rezulton i fikur që prej ditës kur ajo është zhdukur.
Bashkëshorti i vajzës, që jetonte në Itali, mësohet se është konsideruar nga policia si një nga dëshmitarët kryesorë që mund t’i shërbejë hetimit të rrethanave të ngjarjes. Grupi i hetimit tha se pas katër ditësh hetime intensive ende nuk është arritur të gjendet ndonjë person që të konfirmojë se e ka parë vajzën pas largimit të saj nga banesa për herë të fundit. Kjo gjë ka vështirësuar ndjeshme punën e grupit hetimor, pasi deri tani nuk është gjendur asnjë gjurmë që mund të çojë në identifikimin e vendndodhjes së vajzës.
Trafiku i klandestinëve, pranga tre të rinjve

GJIROKASTËR - Policia e Gjirokastrës arreston tre shtetas në flagrancë për trafik klandestinësh, të cilët do të përfitonin 6000 euro. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se dje u bë ndalimi i shtetasve Leonard Muça, 22 vjeç, lindur dhe banues në Tepelenë; Elis Beqiraj, 21 vjeç, lindur në fshat Memaliaj dhe banues në Përmet; si dhe Arif Qerimaj, 21 vjeç, lindur dhe banues në Përmet.
Sipas zëdhënësit të Policisë së Gjirokastrës, Gentian Mullai, ndalimi i të rinjve u bë pasi rreth orës 01:00 të mëngjesit të ditës së premte, këta persona, duke udhëtuar me mjetin tip “Opel” me tragë PR 11 87 B, me drejtues shtetasin Arif Qerimaj, ku në brendësi të këtij automjeti ishin duke udhëtuar edhe 6 shtetas të tjerë, konkretisht: 4 femra, një fëmijë dhe një burrë.
“Tre të arrestuarit po i transportonin këta shtetas në drejtim të kufirit të gjelbër në Çarshovë dhe do t’i ndihmonin të kalonin kufirin në mënyrë të paligjshme kundrejt fitimit 1000 euro për person”, - thonë burimet policore.
Të arrestuarit, krahas transportimit në drejtim të kufirit të gjelbër, do të bënin edhe udhërrëfyesin përgjatë malit për në Greqi. “Të gjashtë shtetasit që donin të kalonin kufirin në mënyrë të paligjshme ishin kushërinj me njëri-tjetrin dhe ishin nga rrethi i Hasit. Këta persona kishin disa vjet që jetonin në Greqi, por pa dokumente, dhe ishin kthyer në Shqipëri para disa ditësh për një rast vdekjeje. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër për veprime të mëtejshme për veprën penale të ‘dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit kundrejt fitimit’”, - përfundon njoftimi i Policisë.

Të arrestuarit
1. Leonard Muça, i datëlindjes 1988, lindur dhe banues në Tepelenë.
2. Elis Beqiraj, i datëlindjes 1989, lindur në Memaliaj dhe banues në Përmet.
3. Arif Qerimaj, i datëlindjes 1989, lindur dhe banues në Përmet.

Vidhnin dyqane në fshatrat e Korçës, pranga dy të rinjve

KORÇË – Arrestohen dy të rinj të akuzuar për disa vjedhje në zonën e Korçës. Policia e qytetit juglindor bën të ditur se ka vënë në pranga Skerdi Lamçen dhe Sadri Maliqllarin.
Sipas të dhënave zyrtare të Policisë së Korçës mësohet se këta persona akuzohen se më datë 12.02.2010 kanë vjedhur dy dyqane në fshatin Pojan të Korçës dhe një dyqan ushqimor në fshatin Libonik të Korçës. Ata akuzohen gjithashtu për vjedhje me thyerje të dyqanit në pronësi të shtetasit L. Pashollari, në fshatin Symizë të Korçës, ku kanë marrë mallra me vlerë 5000 lekë. Në listën e grabitjeve të tyre shtohen dhe 3 dyqane të grabitura në fshatin Sovjan, ku në dyqanin në pronësi të X. Gongos kanë marrë mallra me vlerë 7000 lekë; në dyqanin në pronësi të R. Sulollarit, mallra që kapin vlerën 10 000 lekë dhe në dyqanin që është në pronësi të S. Dautllarit, vlera e mallrave të grabitura kap shifrim 8000 lekë.
Pas arrestimit të tyre dhe dokumentimit të këtyre grabitjeve, policia e këtij qyteti është duke punuar për zbardhjen e grabitjeve të tjera të ndodhura në këtë zonë që mund të jenë kryer nga këta persona.

Kanosi dhe mori peng një person, arrestohet i kërkuari

LEZHË – Mori peng një person dhe kanosi me armë një tjetër bashkë me vëllezërit Pula, arrestohet ditën e djeshme i kërkuari Skënder Hala. Policia e Lezhës njofton se ka vënë në pranga ditën e djeshme Halën, 35 vjeç, banues në fshatin Rrilë të Lezhës, i cili është akuzuar për kryerjen e veprës penale të “heqjes së paligjshme të lirisë e kryer në bashkëpunim”, “armëmbajtjes pa leje” dhe “kanosjes serioze për vrasje”. Arrestimi i tij erdhi pasi më datë 22 shkurt të këtij viti, në vendin e quajtur Ishull Lezhë, Hala, në bashkëpunim me tre vëllezërit Genc, Dritan dhe Besmir Pula, kanë kanosur me armë zjarri Gjon Tonin, kanë goditur dhe i kanë hequr lirinë në mënyrë të paligjshme Françesk Palit. Shkaku mësohet se ka qenë borxhi i papaguar që këta të fundit u kishin pengmarrësve.

27 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›