Rrugorët, 740 gjoba në 24 orë
TIRANË – Vazhdon aksioni i Policisë Rrugore të kryeqytetit për ndëshkimin e shoferëve të pabindur. Policia e Tiranës bën të ditur se në kuadrin e kontrolleve të shumta që po ushtrohen në drejtim të vendosjes së rripave të sigurimit, kaskës mbrojtëse, kontrollit të shpejtësisë, përdorimit të alkoolit nga drejtuesit e mjeteve, parkimet e gabuara etj, forcat e Policisë Rrugore të Tiranës kanë vendosur plot 740 gjoba gjatë 24 orëve të fundit. “Në këtë kuadër, Policia Rrugore e Tiranës sheh si domosdoshmëri mirëkuptimin dhe mbështetjen e opinionit publik duke i ftuar të gjithë përdoruesit e rrugës, në ndërgjegjësimin për të zbatuar me korrektësi normat e sjelljes gjatë drejtimit të mjetit dhe rregullat e legjislacionit rrugor, të përcaktuar në Kodin Rrugor”, – thuhet në fund të njoftimit të Policisë së Tiranës.
Shtyhet procesi ndaj Dajtit, mungonte gjyqtari
Seanca e radhës për Dritan Dajtin dhe të pandehurit e tjerë nuk u zhvillua dot për shkak të mosformimit të trupit gjykues. Ndërsa disa seanca me radhë, shkak kanë qenë avokatët ose vetë i pandehuri Dajti. Ky i fundit ka thënë se shkak për mosparaqitjen e tij është gjendja shëndetësore. Sipas tij, ai mbahet i lidhur duar e këmbë dhe çdo dhjetë minuta i bëhen qetësues. Dritan Dajti, një prej personazheve të krimit në vend, akuzuar për vrasjen e katër punonjësve të policisë më 7 gusht 2009, nuk pranon të vijë në gjyq. Bashkë me Dajtin janë duke u gjykuar edhe kunati i tij dhe një oficer policie i Komisariatit të Durrësit. Për këta të fundit u kërkua veçimi i çështjes.
27 Mars 2010