E Diel, 1 Nëntor 2026

Miratohet buxheti shtesë i qeverisë, më shumë shpenzime, sesa të ardhura

Buxheti suplementar, 303.7 milionë dollarë për investime. Ai ka 44 miliardë lekë më shumë se ai i një viti më parë

Ervin Koçi

Qeveria ka miratuar dje buxhetin suplementar për vitin 2008 prej 303.7 milionë dollarësh, në një kohë që shpenzimet e llogaritura e kalojnë shumën e këtij buxheti. Buxheti i shumëpërfolur pritet që sërish pjesën më të madhe të fondeve të tij ta ketë të përqendruar tek investimet në infrastrukturë, ku një pjesë e madhe e projekteve, sidomos ato rrugore, presin fondet e reja për kryerjen e punëve. Ndërkohë, një sasi të madhe të fondeve nga ky buxhet, më tepër se gjysma, do të shkojnë sërish për mega-projektin rrugor “Durrës-Kukës-Morinë”, i cili sërish do të përfitojë fonde edhe nga ky buxhet. Kryeministri Berisha në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Ministrave bëri transparente mënyrën e përdorimit të parave të buxhetit suplementar dhe sektorët e shfrytëzimit të tyre. “Është normale që çdo qytetar shqiptar të shtrojë pyetjen. Çfarë bëhet me paratë tona. Dua të informoj qytetarët se me këto para shtesë 12 miliardë do t’i japim infrastrukturës, kryesisht rrugëve në mbarë vendin. Dy miliardë do t’i jepen qeverisë vendore dhe restoja do të përdoret për pakësimin e deficitit buxhetor”, - tha kryeministri Berisha.

Deficiti buxhetor

Edhe pse shuma e këtij buxheti është e madhe, më të mëdha janë shpenzimet e tij si dhe deficiti. Në total ai llogaritet në rreth 56.4 milionë lekë. Kryeministri informoi se buxheti suplementar bën të mundur që deficiti buxhetor i brendshëm të ulet nga 2.3 për qind e prodhimit të brendshëm bruto PBB, në 1.6 për qind e prodhimit të brendshëm, duke shënuar uljen e tij historike më maksimale. “Buxheti bën të mundur uljen e deficitit të përgjithshëm nga 7.9 për qind në 5.2 të prodhimit të brendshëm, në normën e kërkuar nga FMN-ja. Në këtë buxhet investimet kapitale rriten 2.5 herë krahasuar me vitin 2007”, - tha më tej kryeministri. Kreu i qeverisë evidentoi se buxheti suplementar nuk ka brenda tij të ardhurat e ARMO-s dhe privatizimeve të tjera, por ai është rezultat i disiplinës financiare që qeveria ka vendosur. Berisha bëri të ditur se këtë vit, buxheti suplementar ka rreth 44 miliardë lekë më shumë se një vit më parë. Pas miratimit nga qeveria buxheti do të kalojë për votim në Parlament dhe më pas në destinacionet e caktuara.

Fondet e buxhetit

Ministri i Financave, Ridvan Bode, u shpreh lidhur me buxhetin suplementar se pjesa më e madhe e të ardhurave të grumbulluara janë prej tatimeve dhe doganave. "Rreth 20 miliardë lekë janë nga të ardhurat nga tatimet dhe doganat, ndërsa ka edhe pjesë nga rialokimet dhe kontigjencat që e rrisin masën e këtij buxheti suplementar”,- ka thënë dy ditë më parë ministri i Financave, Bode. Gati gjysma e fondeve të llogaritura në shtesën buxhetore janë rishpërndarje e fondeve, që nuk kanë mundur të shpenzohen në pjesën e parë të vitit, sipas programit buxhetor 2008. Nga tejkalimet e të ardhurave nga tatimet dhe doganat, por edhe nga burime të tjera janë akumuluar rreth 14 miliardë lekë, sipas burimeve të Ministrisë së Financave, ndërsa pjesa tjetër e fondeve që plotësojnë 303 milionë dollarët, janë shpenzime të parealizuara sipas programit të shpenzimeve të llogaritura për vitin 2008. Pjesa më e madhe e fondeve të buxhetit do të shkojnë për infrastrukturën rrugore, sidomos për rrugën Durrës-Kukës dhe rrugë të tjera nacionale, përgjatë rivierës shqiptare. Një pjesë e fondeve që do të rishpërndahen do të përdoren për shlyerjen e borxhit.

Ky buxhet do të përdoret për:

1. Rritjen e pagave

2. Rritjen e pensioneve

3. Decentralizimin për bashkitë dhe komunat

4. Kompensimin e rritjes së çmimeve

5. Reduktimin e nivelit të borxhit

12 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›