Ministri Prifti bankave: Financoni koncesionet në hidrocentrale
Nxitja e bankave në financimin e projekteve koncesionare. Ky ka qenë synimi i takimit të organizuar nga ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës Dritan Prifti me përfaqësuesit e bankave në Shqipëri. Në fjalën e tij ministri dha detaje lidhur me zhvillimet e koncesioneve në vend dhe problematikat që përkufizojnë këto të fundit. “Mendoj se frika e sistemit bankar për të mos u përfshirë në financime të sistemit energjetik dhe sidomos në hidrocentrale është e pajustifikueshme. Këtë lloj sjelljeje unë e mendoj si pa shkak, pasi kuadri ligjor ekziston dhe garancitë gjithashtu” ka theksuar Prifti. Ministri vuri theksin në faktin se sektori më prioritar drejt koncesionit është ai i energjetikës dhe pikërisht këtu duhet të fokusohet edhe ndihma e bankave garancia për të cilat po mbështetet me legjislacionin e nevojshëm. “Ne kemi përfunduar draftin përfundimtar të ligjit të ri për energji të rinovueshme. Ky draft që është bërë me konsulencë ndërkombëtare dhe në të fiksohet se periudha e tarifës së subvencionuar dhe të garantuar është për 15 vjet. Ky ligj është një garanci më shumë për financuesit e këtyre projekteve” tha Prifti. Më tej ai ka theksuar se ministria ka bërë një sërë kontrollesh mbi koncesionet e dhëna dhe rezultati është që shumica e tyre mund të cilësohen si shumë të suksesshëm. “Janë rreth 100 koncesione që janë dhënë gjithsej në Shqipëri, që në fakt në shumicën e tyre kanë pasur një sukses të dukshëm. Që nga koncesioni i aeroportit, ai i Petroliferës, Porto Romanos e deri te më të mëdha dhe më të vogla në hidrocentrale, miniera e fusha të tjera” theksoi ministri në vazhdën e thirrjes për më shumë mbështetje nga bankat.