E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mesatarja nën 6, përjashtohen 80 studentë të Informatikës



VLORE/ QEMAL BIRAKU

Studentët e departamentit të Informatikës në Universitetin e Vlorës, të cilët kanë mesataren nën 6 do të përjashtohen nga auditoret. Vendimi i marrë ditët e fundit nga ana e këtij universiteti u është komunikuar ditën e djeshme, nëpërmjet një e-maili nga ana e shefit të departamentit të Informatikës, Ervin Ruçi. "Shkak për këtë është bërë rregullorja e sapofutur e universitetit, e cila përcakton se nëse studenti ka mesataren nën notën 6, nuk mund të vijojë më studimet pranë UV-së", u shprehën mjaft të irrituar studentët që rrezikojnë në rast të zbatimit të kësaj rregulloreje. Vetë studentët thonë se këtë fakt të ri e kanë mësuar vetëm tani. Mësohet se mesatarja është përcaktuar në mënyrë elektronike, nëpërmjet një sistemi që është vënë në përdorim nga universiteti në bazë të rregullores së brendshme të saj. Sipas burimeve nga stafi pedagogjik, një sistem i tillë elektronik do të futet edhe në departamentet e tjera të universitetit. Por ata nuk konfirmuan nëse rregulli për largimin e studentëve me mesatare nën 6 do të zbatohet edhe për studentët e degëve të tjera pas përllogaritjes së mesatareve. Pas rregullores, shefi i departamentit të Informatikës ka vënë në dijeni studentet e viteve të dyta dhe të treta duke i paralajmëruar ata për përjashtim nga universiteti. Shefi i këtij departamenti, Ervin Ruçi u shpreh se "gjithçka ka të bëjë me mesataren e dobët të tyre, mesatare e cila është nën notën 6, por ka edhe 4.8. Në këtë mënyrë studentet nuk mund të vijojnë studimet". Njoftimi për studentet është bërë nga një e-maili nga vetë Ruçi në adresat elektronike të studentëve të regjistruar në sistem. Pasi kanë mësuar vendimin, studentët reaguan ashpër duke u shprehur se një masë e tillë u shkakton atyre ndërprerjen përfundimtare të studimeve. Zv.rektori Eustrat Zhupa pohoi dje se kjo masë është marrë për të rritur cilësinë e universitetit. Janë rreth 80 studentë, të cilët rrezikojnë të përjashtohen, për të mos e ndjekur vitin e ardhshëm akademik.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›