E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministri Ruli fton investitorët kroatë

26/03/2009  Sektori energjetik

Ministri i Ekonomisë, Genc Ruli, ka ftuar qeverinë dhe kompanitë private kroate të investojnë në sektorin energjetik në Shqipëri. Gjatë një takimi që ministri Ruli zhvilloi me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Ekonomisë së Kroacisë, Damir Polancec, ka kërkuar pjesëmarrjen e kompanive kroate në ndërtimin e burimeve energjetike në gjenerim, hidrocentrale apo termocentrale, si edhe furnizimin me energji elektrike të vendit nga këto kompani. Ministri Ruli e njohu ministrin kroat Polancec me hapat e deritanishme që ka bërë Shqipëria në lidhje me fillimin e programit bërthamor dhe pretendimet e vendit tonë për të ngritur një TEC bërthamor, i parë ky edhe si një projekt rajonal. Dy ministrat kanë folur edhe për projektin e gazsjellësit “Ionian Adriatik”, i cili përfaqëson një ndër projektet më të mundshme dhe me mjaft interes për zhvillimin e infrastrukturës së gazit në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Ky gazsjellës planifikohet të shtrihet në gjithë bregdetin e Detit Adriatik nga Kroacia deri në Shqipëri, në Fier, dhe është propozuar nga kompania kroate e transportimit të gazit “Plinacro”. Në fjalën e tij ministri Ruli ka theksuar se Shqipëria i kushton një vëmendje të veçantë bashkëpunimit me Kroacinë, ashtu si edhe me vendet e tjera të rajonit, duke shpresuar se ky bashkëpunim i shërben rritjes së besimit reciprok, rritjes së shkëmbimeve në të gjitha fushat, përshpejton ritmet e zhvillimit në secilin vend dhe mbi të gjitha i shërben paqes dhe sigurisë në secilin vend dhe në rajon. Shqipëria dhe Kroacia janë anëtare aktive e shumë nismave të tjera rajonale.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›