Ministri Spiro Ksera: Qeveria do të kompensojë 100%, çdo rritje të çmimit të energjisë
Këshilli Kombëtar i Punës miratoi sot planin e Veprimit për zbatimin e Memorandumit të Mirëkuptimit për Çështjet Sociale në kuadrin e Traktatit për Komunitetin e Energjisë. Ministri i Punës dhe Çështjeve Sociale , Spiro Ksera, njëherësh edhe kryetar i KKP, deklaroi gjatë mbledhjes se “Qeveria shqiptare është e vendosur të hartojë dhe zbatojë politika për mbrojtjen e kategorive në nevojë”. Tashmë është përgatitur dhe pritet të miratohet Vendim i Këshillit të Ministrave që parashikon kompensimin e rritjes së çmimit të energjisë elektrike në masën 640 lekë, nga 500 që ishte, pas rritjes së çmimit në fillim të këtij viti. Nga ky vendim do të përfitojnë familjet që mbështeten me ndihmë ekonomike, personat e paaftë për punë, të shpallur të tillë nga komisionet (KPCAP), punonjësit me pagë nën 350 mijë lekë, pensionistët e vetëm apo që kanë në ngarkim persona të tjerë. Ministri Ksera “siguroi se Qeveria do të kompensojë çdo rritje të çmimit të energjisë për këto kategori në masën 100%, si ka bërë deri tani”.