E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministri Stavileci u premton fermerëve llapjanë ndihmë

Podujevë, 1 shtator – Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Blerand Stavileci, ka premtuar se vitin e ardhshëm do të fillojnë të ndihmojnë kultivuesit e pemëve të imta. Ai gjatë një vizite që i ka bërë fermerit të mjedrave Mensur Cakiqi në fshatin Lapashticë të Podujevës, ka thënë se ky nënsektor do të jetë në listën e prioriteteve të kësaj ministrie.
“Në vazhdën e vizitave që jemi duke i bërë nëpër vende të Kosovës po synojmë që të kemi informacione nga dora e parë, pra nga vetë fermerët se si po u ecin punët dhe me një theks të veçantë për të parë edhe vështirësitë dhe problemet të cilat ata i hasin gjatë kultivimit. Sot jemi në një vend të përshtatshëm për kultivimin e mjedrës dhe këtë nësektor do ta trajtojmë ndryshe nga që është trajtuar deri tash”, është shprehur ministri i BPZHR-së.
Blerand Stavileci ka thënë se pasi kultivimi i pemëve të imëta është një kulturë e re për fermerët, si ministri janë të interesuar që pos mbështetjes financiare, kultivuesit t’i mbështesin edhe në anën profesionale nga ekspertë, sepse siç thotë ai, këshillat që do t’u jepem fermerëve si në aspektin teorik edhe në atë praktik, mund t’iu ndihmojnë atyre që ta rrisin sasinë dhe cilësinë.
“Jemi në fazën e analizave përfundimtare prej nga mendojmë që nga viti i ardhshëm të fillojmë ta përkrahim edhe këtë nënsektor me ndihma të drejtpërdrejta financiare në formë grantesh, por edhe ndihma të tjera në mënyrë që këta të jenë përfitues dhe që prodhimi i tyre të rritet si për nga sasia, po ashtu edhe për nga cilësia”, ka theksuar ministri Stavileci.
Ai ka thënë se si ministri do t’iu qëndrojnë afër fermerëve dhe i inkurajojnë ata që të vazhdojnë me punën e tyre me këtë nivel të angazhimit.
Ndërkohë, kultivuesi i mjedrave, Mensur Cakiqi, ka kërkuar nga ministri që në këtë fazë t’iu ofrohen së pari këshillat profesionale, pasi me kultivimin e kësaj peme kanë filluar vetëm para një viti.
“E falënderojmë ministrin për ndihmën që na e premtojë dhe se këshillat profesionale na duhen më së shumti tash për tash, pasi prodhimi i mjedrave për një hektar në Serbi është prej 13 mijë deri në 30 mijë kilogramë. Ndërsa ne tash për tash jemi duke prodhuar 9 mijë kg për hektar”, ka thënë ai.
Ky fermer ka afërsisht 2 hektarë të mbjellë me mjedra, ndërsa frutat e tyre i dërgojnë në “Agroproduct Commerce” në fshatin Peran të Podujevës. Drejtori i kësaj ndërmarrje, Avni Shabani, e ka njoftuar ministrin e Bujqësisë se bëjnë përpunimin e kërpudhës që nga viti 1969.
“Këtë vit kemi filluar edhe me përpunimin e frutave dhe perimeve duke arritur që të sigurojmë kapacitet të grumbullimit deri në 300 tonelata. Ndër frutat të cilat jemi duke i përpunuar janë manaferrat, boronicat, mjedrat, ndërsa nga perimet specat e domatet”, ka thënë Shabani. 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›