E Shtunë, 31 Tetor 2026

OBSH: Shqipëria, 3 herë më pak mjekë se vendet e BE

 

zirina llambro

Gati 3 herë më pak mjekë se vendet e Bashkimit Evropian. Por, nuk është vetëm ky problemi më i mprehtë i ofrimit të shërbimit shëndetësor. Aktualisht mbulimi i territorit të Shqipërisë me bluza të bardha, që u japin asistencë personave në nevojë, çalon jo pak. Pjesa më e madhe e mjekëve janë përqendruar në qytetet e mëdha. Në zonat e thella rurale, vështirë se mund të marrësh ndihmë të specializuar. Që prej më shumë se 8 vitesh janë bërë premtime pafund për të mundësuar një shpërndarje të drejtë të mjekëve në raport me popullsinë. Ka pasur edhe nisma pozitive, si ajo e Institutit të Sigurimeve Shëndetësore, për të stimuluar financiarisht personelin që punon në zonat e thella. Nuk kanë munguar edhe kërcënimet e ish-ministrave për të penalizuar specializantët që nuk riktheheshin nga qytetet prej nga kishin ardhur. Por me gjithë këto përpjekje shihen qartazi mangësitë e mëdha. Ankesat nga personat që jetojnë në këto zona janë të shumta. Madje nuk kanë munguar rastet kur pasojat kanë qenë fatale për jetën e të afërmve të tyre, pasi nuk janë trajtuar në kohë. Disa ditë më parë, Ministri i Shëndetësisë Petrit Vasili, në një deklaratë për mediat theksoi se duhet punuar më tej, në mënyrë që stafi i bluzave të bardha të shpërndahet siç duhet në territorin e vendit. “Asnjë pacienti nuk duhet t’i mohohet shërbimi shëndetësor”, është shprehur Vasili. Por, ende nuk ka ndonjë masë konkrete për të parë në praktikë përmirësimin e situatës. “Për 100 mijë banorë shqiptarë ka rreth 3 herë më pak mjekë dhe dy herë e gjysmë më pak infermierë, se vendet e Bashkimit Evropian”, thuhet në raportin e OBSH-së, i cili ka krahasuar të gjithë vendet e rajonit dhe Evropës. Sipas rekomandimeve të kësaj organizate, duhet të ndiqen politika të tilla që ky numër të shtohet dhe të ketë shpërndarjen e duhur. Ndërsa në rrethet e vendit ka mungesa të theksuara të shërbimit mjekësor, në Tiranë numri i tyre është më i lartë se nevojat. Vetëm në Qendrën spitalore universitare “Nënë Tereza”, punojnë rreth 800 mjekë për 1600 shtretër. Disa reforma për të përmbysur këto raporte ende pa lindur mirë rezultuan të dështuara. Nga sa bën me dije Ministria e Shëndetësisë, vendosja e balancave në sistemin shëndetësor është një nga prioritetet e këtij dikasteri. Një rol të rëndësishëm në ndryshimin e situatës luan edhe Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor, i cili gjithashtu në politikat e tij e ka cilësuar mbulimin me shërbim shëndetësor të të gjithë territorit të vendit, si një hallkë mjaft të rëndësishme në reformën e re.

Raporti, nuk zbatohen të drejtat e njeriut

Të drejtat e njeriut në Shqipëri nuk respektohen mjaftueshëm. Në raportin për 2009 të organizatave jo qeveritare, jeta nuk është e sigurt as në rrugë e as në punë. Madje ndotja e lartë mjedisore ka rritur vdekshmërinë. Shkeljet më të rënda të drejtave të njeriut në raport evidentohen në institucionet e paraburgimit, burgje dhe komisariate, ku jo rrallë herë të arrestuarit keqtrajtohen fizikisht. Ndërkohë që çnjerëzore e kanë quajtur situatën ekspertët e organizatave në spitalet e burgjeve, ku pacientët lidhen me zinxhirë. Akuza të rënda vijnë dhe për policinë, e cila gjatë ndalimeve dhe arrestimeve rëndom ushtron dhunë fizike dhe psikologjike. Dhuna në familje vazhdon të renditet në listën e problemeve ende aktuale në Shqipëri, po ashtu dhe trafikimi i qenieve njerëzore. Pre e tyre janë jo vetëm gratë, por dhe fëmijët. Kështu një fenomen i vërejtur vitet e fundit është shfrytëzimi i fëmijëve për prostitucion, duke i trafikuar apo duke i përdorur për pornografi e turizëm seksual.Përfaqësuesit e shoqërisë civile brenda datës 15 dhjetor do të hartojnë një raport përfundimtar, ku evidentohet me raste konkrete shkelja e të drejtave të njeriut në Shqipëri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›