Kryeregjistruesi urdhër për të ushtruar kontroll në 10 zyra vendore
Laureta Rryçi
Pas largimit nga puna të regjistrueses së Tiranës dhe 10 specialistëve të tjerë duket se shkarkimet nga puna nuk kanë mbaruar me aq. Burime pranë Zyrës Qendrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme pohuan dje se Kryeregjistruesi, Arben Qirjako ka dhënë urdhër të posaçëm që të ushtrohet kontroll në 10 zyra vendore që u përkasin dhe qyteteve më të mëdha të vendit. Të njëjtat burime sqaruan se urdhri është lëshuar pas dhjetëra ankesave të paraqitura në zyrën e tij nga qytetarët. Inspektorët nga Tirana kanë marrë detyra të qarta nga eprori i tyre se cilat çështje do të kalojnë në sitë për të parë se si kanë vepruar drejtuesit dhe punonjësit e këtyre zyrave vendore. Më pas ata do të hartojnë një relacion të posaçëm për secilën zyrë dhe në varësi të rezultateve do të ketë edhe masa ndëshkimore për të gjithë ata që mund të kenë abuzuar me detyrën.
Urdhri
Kryeregjistruesi i Pasurive të Paluajtshme, Arben Qirjako vetëm pak ditë më parë ka lëshuar një urdhër të posaçëm për kontrollin e zyrave kryesore të hipotekave në vend. Për secilën zyrë janë përcaktuar specialistë nga Tirana të cilët do të shikojnë procedurën e punës që është ndjekur dhe zbatimi i afateve për shërbime të caktuara të kërkuara nga qytetarët. Por, ajo që duket edhe si “zonë e “nxehtë” në hipoteka janë dosjet që po shqyrtohen së fundmi për mbivendosjet. Këto dosje do të kalojnë me imtësi nga specialistët e Tiranës për të parë nëse janë shqyrtuar me korrektësi çdo ankesë e qytetarëve për fenomenin e mbivendosjes në pasurinë e paluajtshme. Po me kaq imtësi pritet të kalohen edhe tapitë e reja që janë marrë nga qytetarët gjatë këtyre muajve të cilët përfituan nga Ligji i Legalizimeve. Burime pranë Zyrës Qendrore shpjeguan se në proces kontrolli do të jenë zyrat vendore në Durrës, Sarandë, Vlorë, Fier, Shkodër, Korçë, Elbasan, Gjirokastër, Lezhë dhe Tiranë që relacioni për të cilën përfundoi vetëm pak ditë më parë. Specialistët mësohet se vetëm për Zyrën e Tiranës përpiluan një raport prej 220 faqësh.
Qytetet
Raporti më i fundit i dalë nga Hipoteka shpjegonte se në bazë të ankesave të qytetarëve renditeshin edhe qytetet më problematike në lidhje me mbivendosjen. Në raport flitej se vetëm në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, ishin dorëzuar për shqyrtim rreth 380 kërkesa. Më së shumti ky problem duket se është më i dukshëm në zonat bregdetare, atje ku dhe toka ka një çmim më të lartë. Për të shqyrtuar këto ankesa, kryeregjistruesi ka ngritur një grup pune që, pasi shqyrton dokumentacionin, dërgon relacion për secilën ankesë. Shifrat e dala pas kalkulimeve të specialistëve, kanë vënë në vend të parë kryeqytetin si më me shumë probleme për pronat, më pas vjen qyteti i Lezhës, Vlorës, Shkodrës, Korçës dhe Durrësit.
Kontrolli në Hipotekën e Tiranës, përgatiten 14 dosje për në Prokurori
Sektori i Kontrollit Tekniko Ligjor, me urdhër të Kryeregjistruesit mësohet se ka ushtruar një kontroll 2 mujor pranë ZVRPP, Tiranë. Objekt i këtij kontrolli ka qenë respektimi i procedurave administrative dhe shërbimit ndaj qytetarit nga ana e punonjësve të kësaj Zyre. “Në fund, kontrolli konstatoi shkelje të shumta të procedurave administrative dhe vonesa të mëdha në shërbimin ndaj qytetarëve nga ana e Regjistrueses, Dorina Stringa dhe nga 10 punonjësit e tjerë”, thuhet në njoftim duke u pranuar zyrtarisht se ankesat e qytetarëve të prej disa muajve paskan qenë të vërteta. Bazuar mbi raportin e Kontrollit Tekniko Ligjor, Kryeregjistruesi i Republikës, Arben Qirjako, i propozoi Ministrit të Drejtësisë shkarkimin nga detyra të Regjistrueses së Tiranës, Dorina Stringa. Ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani referuar nenit 102 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe nenit 4 të ligjit 7843 për Regjistrimin e Pasurive të Paluajtshme, vendosi shkarkimi e Regjistrueses, Dorina Stringa.
Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme do të vazhdojë kontrolle edhe në Zyrat e tjera Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Në fokus të këtyre kontrolleve do të jetë respektimi i procedurave administrative dhe shërbimi ndaj qytetarëve.
Vendimi që po fshin mbivendosjet e pronave
Për fenomenin e mbivendosjes së pronave, Këshilli i Ministrave miratoi një ligj të posaçëm që unifikoi procedurën që duhej të ndiqej në të tilla raste. Ky ligj ka përcaktuar një proces që përbëhet nga 13 hapa të rëndësishëm që duhet të ndiqet në mënyrë që prona t’i rikthehet pronarit të vërtetë. Fillimisht qytetari që ka ankesë duhet depozitojë formularin duke dhënë me detaje problemin real që ka për pronën. Vetëm në këtë mënyrë, ankesa e tij mund të shqyrtohet në rrugë zyrtare dhe do të mësojë nëse prona do të qëndrojë në emër të tij. Prej pak kohësh, ZQRPP-ja ka ngritur strukturën e re që do të merret me verifikimin e regjistrimeve. Sakaq ka nisur verifikimi i regjistrimeve në të gjitha Zyrat Vendore. Pas vendimit të Këshillit të Ministrave Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive te Paluajtshme, ZQRPP-ja ka ngritur një grup pune, i cili po harton rregulloren e brendshme të institucionit. Sipas burimeve zyrtare nga kjo zyrë, kjo rregullore do të normojë punën e Zyrës duke mënjanuar të gjithë problematiken që është vënë re deri sot. Të njëjtat burime pohuan se Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme ka përcaktuar të fshijë të gjitha mbivendosjet dhe të krijojë një regjistër unik të pasurive të paluajtshme. Ndërkohë në këtë institucion po bëhet inventarizimi i të gjithë dokumentacionit, i cili është lënë në gjendje të mjeruar për 10 vite radhazi. Procesi i inventarizimit ka përfunduar në shumicën e rretheve të vendit, ndërsa është në përfundim e sipër në qytetet kryesore për shkak të volumit të madh të dokumentacionit. Kjo do të sjellë pamundësinë e manipulimit me dokumentet apo zhdukjen e tyre, fenomene që janë vënë re rëndom në dhjetë vitet e fundit
8 Tetor 2009