E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministri afgan: Durimi ndaj NATO-s ka shteruar! Talebanët duan hakmarrje

Pas incidentit të rëndë në Afganistan, ku një ushtar i forcave të koalicionit ka hyrë në tri shtëpi afgane duke vrarë 16 civilë në gjumë, pjesa më e madhe fëmijë, Kancelarja gjermane, Angela Merkel, vizitoi dje Afganistanin. Vizita e papritur u bë te trupat gjermane të vendosura në Masar-i-Sharif, një ditë pasi ushtari amerikan ekzekutoi civilët afganë. Merkel ka qenë në Afganistan dy vjet më parë. Trupat gjermane, të tretat në forcën ndërkombëtare nën drejtimin  NATO-s (ISAF), pritet të tërhiqen nga vendi në vitin 2014. Vizita e Merkel vlerësohet si mbështetje psikologjike për ushtarët gjermanë në këtë vend, në një moment të vështirë për koalicionin ndërkombëtar, ku ata po sulmohen dita ditës nga forcat aleate afgane, dhe janë të rënduar psikologjikisht. Sulmet e ushtarëve dhe policëve afganë janë intensifikuar pas bombardimeve të vazhdueshme në zona ku ushtarët amerikanë mendonin se strehoheshin talebanë, por në vend të kësaj janë raportuar vazhdimisht vrasje civilësh. Për vrasjen e fundit të 16 civilëve afganë, talebanët janë zotuar se do të hakmerren. Presidenti Hamid Karzai kërkoi sqarim nga SHBA-të për incidentin, ndërsa kanë nisur hetimet nga të dyja palët. Kurse ministri i Jashtëm afgan paralajmëroi se durimi i afganëve ndaj NATO-s ka shteruar. Deklarata e ashpër e tij erdhi pasi ushtria amerikane u vendos në gjendje alarmi, pas zotimit të talebanëve për hakmarrje, pas ngjarjes së ndodhur në një fshat në provincën e Kandaharit. Reputacioni i Aleancës është dëmtuar shumë në këtë vend. Vrasja e civilëve ndodhi pasi tensioni ishte i ngritur me djegien e disa kopjeve të Kuranit në një bazë ajrore amerikane, një fakt që shkaktoi protesta të dhunshme ku humbën jetën rreth 30 afganë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›