E Diel, 1 Nëntor 2026

Maqedonasit rrisin tensionin, djegin flamurin shqiptar

Nga djegia e flamurit në videon e maqedonasve

Video e organizatës kristiane: Myslimanë, ju ka ardhur fundi ju dhe fesë suaj. Mediat: Vendi, si në prag të luftës civile.

Flamuri shqiptar është djegur në Maqedoni dhe shqiptarët janë kërcënuar me jetë, në një video të publikuar nga Organizata Kristiane (Hristianska Organizacija). Në video, persona të maskuar lëshojnë thirrje raciste antishqiptare dhe para se të djegin flamurin, me këngë liturgjike në sfond, kanë kërkuar bashkimin e të krishterëve kundër shqiptarëve. Videoja madje është titruar në anglisht për ta përcjellë mesazhin në të gjithë botën. Mos provoni të digjni tempujt e shenjtë të krishterë. Mos luani me jetën tuaj, jetën e fëmijëve tuaj, sepse myslimanë ju ka ardhur fundi ju dhe ka ardhur fundi i fesë suaj, Zotit tuaj dhe xhamisë suaj, thuhet në mesazh. Ndërkohë hakerët shqiptarë kanë sulmuar faqen zyrtare www.mbrod.gov.mk., ku kanë vendosur logo me flamurin shqiptar dhe mbishkrimin: Nënçmoni një popull që ka vlera të mëdha, por shqiptarët do të jenë gjithmonë me kokë lart, thuhet mes të tjerash në shkrimin me një këngë patriotike shqiptare në sfond.  Ngjarja është komentuar edhe nga mediat e huaja. Sipas Washington Post, rreth 30 persona janë arrestuar pas përkeqësimit të tensioneve etnike, të cilat po ngjajnë gjithnjë e më shumë me situatën para 11 viteve, kur vendi shkoi në prag në një lufte civile. Në shumë qytete është rritur numri i forcave të rendit, të cilat, përpos të tjerash, janë urdhëruar edhe të udhëtojnë me autobusë për të evituar sulmet e grupeve të ndryshme etnike të të rinjve, që po ndodhin gjithnjë e më shpesh në transportet publike dhe në parqe. Sherret janë kryer duke përdorur shifra hekuri, thika dhe shkopinj bejsbolli. Presidenti Gjorgje Ivanov tha se nëse situata vazhdon kështu, ai do të kërkojë mbledhjen e Këshillit të Sigurisë. Ndërsa Kryeministri Nikolla Gruesvski paralajmëroi se çdokush që planifikon të marrë pjesë në veprime të dhunshme, duhet të dije se do të përgjigjet para ligjit.
Policia raportoi një valë të re dhunë të dielën në mbrëmje. Trazirat më të këqija janë raportuar në qytetet Gostivar, Shkup, Tetovë dhe Prilep, sipas Policisë.
Tensionet etnike pothuajse ishin shuar në Maqedoni që nga viti 2001 kur shqiptarët nisën një rebelim të armatosur kundër forcave të qeverisë për tetë muaj, duke kërkuar të drejtat e tyre. Në konflikt humbën jetën 80 persona dhe fundi i tij erdhi me ndërhyrjen e NATO-s. Shqiptarët përbëjnë pothuajse një të tretën e popullsisë në Maqedoni. Trazirat nisën të ndizeshin rreth një muaj më parë gjatë karnavaleve, kur burra të veshura si gra me burka talleshin me Kuranin. Incidenti i 13 janarit në festivalin e Vevçanit pasoi me protesta të dhunshme. OSBE i kërkoi policisë të përgjigjej pa dhunë.

Reagimi i AK
Aleanca Kuq e Zi ka vlerësuar se provokimet maqedonase po kalojnë çdo kufi, duke theksuar se me incidentet ndëretnike të ditëve të fundit kundra shqiptarëve Maqedonia po i vë zjarrin vetes. AK i bëri thirrje qeverisë së Maqedonisë të distancohet nga incidentet, ndërkohë që u bën apel SHBA-ve dhe BE-së të ndalojnë çmendurinë e maqedonasve kundra shqiptarëve sa nuk është vonë.

BE dënoi incidentet
Incidentet mes komunitetit shqiptar dhe atij maqedonas gjatë ditëve të fundit kanë tërhequr vëmendjen e Bashkimit Europian, që ka bërë thirrje për qetësim të situatës. Komisioni Europian kundërshton dhe dënon fort dhunën dhe ne u bëjmë thirrje të gjithëve të respektojnë shtetin e së drejtës. Në lidhje me incidentet, shprehim keqardhje të thellë për çfarë ndodhi dhe për faktin që pati njerëz të plagosur. Ne kemi besim se palët e interesuara politike në vend, politikanët e vendit dhe shoqëria civile gjithashtu do të dinë të kontrollojnë emocionet pas këtyre ngjarjeve, me kujdes dhe duke bërë thirrje për qetësim të situatës në vend, tha Peter Stano, zëdhënësi i komisionierit për Zgjerim, Stefan Fyle. Më 15 mars, Fyle do të vizitojë Shkupin, ku do të takohet me Kryeministrin Nikolla Gruevski, me temë kryesore bisedimesh mosrespektimin e Marrëveshjes së Ohrit.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›