Ambasada Italiane, rregullat e reja për lëvizjen e emigrantëve
Ambasada Italiane bën publike rregullat e reja për lëvizjen e emigrantëve shqiptarë në Itali. Nëpërmjet një njoftimi për shtyp, Ambasada sqaron se më datën 31 janar mbaroi afati i lehtësimit me karakter të jashtëzakonshëm, parashikuar nga Qarkorja 400/C/2008/2952, në favor të qytetarëve të huaj në zotërim të kuponit postar të rinovimit të lejes së qëndrimit ose të lëshimit të parë për punësim, vetëpunësim apo për bashkim familjar, për t’u kthyer në Itali duke tranzituar përmes territoreve të shteteve anëtare. Gjithsesi, Ministria e Brendshme Italiane ka konfirmuar se ngelen në fuqi dispozitat e shpërndara më parë, që u lejojnë të huajve në zotërim të kuponit postar të rinovimit të lejes së qëndrimit ose të lëshimit për herë të parë të saj për punësim, vetëpunësim apo për bashkim familjar, të kthehen në vendet e origjinës apo të banimit të përhershëm nëse plotësohen katër kushtet e përcaktuara. Kushti i parë, që duhet të përmbushin emigrantët shqiptarë për t’u kthyer në atdhe, është që dalja dhe rihyrja në Itali të bëhen nga e njëjta pikë kufitare. Kushti i dytë, i përcaktuar së fundi nga autoritetet italiane, është se udhëtimi nuk duhet të parashikojë tranzit në vende të tjera Shengen. Kushti i tretë është se i huaji duhet të paraqesë pasaportën së bashku me vizën e hyrjes, në mënyrë që të kuptohen arsyet e qëndrimit (punësim, vetëpunësim apo bashkim familjar), ose me lejen e qëndrimit për të cilën ka kërkuar rinovim (kopje ose origjinalin) si dhe faturën e postës italiane. Së fundi, personeli i kontrolleve kufitare duhet të vulosë dokumentin e udhëtimit (pasaportën) dhe kuponin, që do të paraqiten nga personi që i zotëron, në momentin e daljes dhe rihyrjes në Itali.
Jonida Tashi
18 Shkurt 2009