Brizhit Bardot: Karla Bruni, e bukur po aq sa e paedukatë
Ikona e bukurisë dhe kinemasë franceze të viteve ’60, Brizhit Bardot ka komentuar mbi zonjën e parë franceze, Karla Bruni, gruan e Presidentit Nikolas Sarkozi. Akuza e saj ishte e rëndë dhe e drejtpërdrejtë: “Karla Bruni është aq e bukur, sa e paedukatë”, - tha ajo për të përjavshmen franceze, “France Dimanche”. Arsyeja është se ajo nuk ka treguar asnjë mirënjohje për një dhuratë të aktores. “Nuk më ka dërguar asnjë letër falënderimi për çantën që i kam dërguar”, - tha Bardot. Në qendër të historisë është një çantë e markës “Lancel”, pikërisht modeli Brizhit Bardot (B.B), i dedikuar për aktoren dhe i dalë në treg prej pak kohësh. Ajo ia dërgoi zonjës së parë dhe...asgjë. Thashethemet thonë se mbase Karlës nuk i ka pëlqyer ngjyra.