E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lajme nga bota



Holanda tërheq trupat e fundit nga Afganistani

Holanda ka përfunduar misionin e saj ushtarak në Afganistan, pas katër vjetësh veprimi. Një kontingjent prej afro dy mijë trupash nga ky vend, konsiderohej si nga më efektivët e forcave të huaja. Edhe pse nga NATO nuk ka pasur sinjale se tërheqja e trupave do të ndjehet në Afganistan, aleanca humbi shumë ushtarë në një moment shumë delikat për të, kur sulmet po shtohen dita–ditës, duke rritur dyshimet për suksesin e strategjisë në Afganistan. Para disa ditësh talebanët shprehën “urime të përzemërta për vendimin për tërheqjen e trupave holandeze”, duke shpresuar që shembulli i Holandës të ndiqet edhe nga vende të tjera.

Greqi, shoferët e kamionëve përfundojnë grevën

Shoferët e kamionëve në Greqi vendosën t’i japin fund grevës gjashtë ditore, duke shënuar një sukses për Qeverinë socialiste të Papandreut. Qeveria të mërkurën i kishte kërcënuar shoferët t’i ktheheshin punës, në të kundërt do t’u hiqeshin licencat. Ditët që ata braktisën detyrën, Greqia u përfshi nga një situatë kaotike në karburante dhe qeveria vendosi të angazhojë ushtrinë për të plotësuar kërkesat e shpërndarjes dhe furnizimit me naftë, gaz e benzinë. Përfundimi i grevës ndodhi në ditën e saj të shtatë, kur qeveritarët i thirrën përfaqësuesit e kamionistëve për bisedime, të cilat me sa duket kanë përfunduar me sukses.

Sulmohen tre policë të Kosovës

Tre zyrtarë të Policisë së Kosovës janë sulmuar fizikisht nga disa persona në Prishtinë,ku dy prej tyre kanë marrë plagë të lehta trupore. Sipas Policisë së Kosovës, rasti ka ndodhur mbrëmjen e së shtunës në rrugën e “Carralevës”, rreth orës 19:50, ku disa të rinj janë therur me thika. Policia ka bërë të ditur se i dyshuari A. Ibishi, pas një mosmarrëveshje ka goditur me thikë tre të mitur. Në vendin e ngjarjes ka shkuar patrulla e policisë, e cila ka bërë sigurimin e vendit të ngjarjes dhe papritmas është sulmuar nga të dyshuarit S. Obrazhda dhe T. Obrazhda. Ata janë arrestuar nga Policia e Kosovës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›