E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministri britanik Lidington: Është dëmtuar imazhi i Shqipërisë

Kriza politike

Situata politike ka nisur të sinjalizojë pasojat e veta për imazhin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare. Deklarimet diplomatike dhe kujdesi protokollar i zyrtarëve të Brukselit aktualisht po zëvendësohen me mesazhe të qarta që kërkojnë zgjidhje të krizës dhe dhënie fund të saj. Kështu, në një intervistë për seksionin shqip të BBC-së, ministri britanik për Europën, David Lidington, ka deklaruar se bllokimi i tanishëm në Tiranë është shqetësues dhe me pasoja. “Ne jemi shumë të shqetësuar nga vazhdimi i ngërçit politik mes qeverisë shqiptare dhe opozitës. Kjo situatë po dëmton imazhin ndërkombëtar të Shqipërisë dhe ajo që është më e rëndësishme, po bllokon disa reforma jetike që janë në interes të popullit shqiptar”, u shpreh ai. Theksi i vënë te reformat e munguara deri më tani flet për një shqetësim në rritje, që lidhet me përafrimin e legjislacionit me standardet e BE-së, të cilat kanë një efekt zinxhir në të gjitha fushat. Ashtu sikundër të gjithë funksionarët europianë, edhe Lidington e ka mbështetur perspektivën e zgjidhjes te shpresa e një marrëveshjeje që po kërkohet nga palët në Shqipëri dhe ende jo si pjesë e traditës së deritanishme, ku çdo kompromis është bërë i mundshëm nga presioni i drejtpërdrejtë i ndërkombëtarëve. “Britania vazhdon të mbështesë fuqimisht perspektivën europiane të Shqipërisë, por që kjo perspektivë të përmbushet, duhet vullnet politik, si dhe shumë energji për të plotësuar kushtet e nevojshme në rrugën e anëtarësimit në BE. Ne shpresojmë që forcat politike në Shqipëri të gjejnë një rrugëdalje nga ky ngërç. është shumë e rëndësishme që dy apo tre forcat politike të punojnë për gjetjen e një zgjidhjeje që duhet mbështetur në parimin e transparencës dhe kushtetutshmërisë”, ka apeluar ai. Një mbështetje e fuqishme e Britanisë, e cila paradoksalisht për qytetarët shqiptarë mund të marrë vlerë vetëm nga konsensusi i politikanëve të Tiranës. Aq më shumë kur fillimi i sesionit të ri parlamentar përkon me hapjen praktike të fushatës elektorale për zgjedhjet lokale, të cilat ka gjasa të zhvillohen në klimë tensioni.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›