E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në gjyq shoferi, do të trafikonte në Greqi 276 kg hashash

Dosja Krimet e Rënda përfundojnë hetimet për Kledian Kokën, u kap në Sarandë

Një 31-vjeçar akuzohet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda se ka tentuar të trafikojë drejt shtetit grek një sasi prej 276 kilogramë hashash. Kledian Koka është arrestuar katër muaj më parë në qytetin e Sarandës dhe brenda këtij harku kohor, Krimet e Rënda kanë përfunduar hetimet dhe kanë dërguar çështjen në gjyq. Hetimet u kryesuan nga prokurorja Elisabeta Imeraj, e cila zbardhi veprimtarinë kriminale të Kokës. Sipas kërkesës për gjykim, më datë 13 mars 2010, rreth orës 13:30, është arrestuar në flagrancë pasi ka qenë në ndjekje e sipër Kledian Koka. Arrestimi është bërë pasi ai ka tentuar dërgimin jashtë kufirit të sasisë së lëndës narkotike në masën prej 676 kg kanabis sativa. Lënda është gjetur në furgonin me të cilin udhëtonte. “I pandehuri po dërgonte lëndën narkotike në drejtim të bregut të detit nga ku, më pas ishte për t’u nisur me anë të një mjeti lundrues, i cili në të njëjtën periudhe kohore është konstatuar nga radarët e policisë. Koka sapo ka konstatuar forcat e policisë ka braktisur mjetin dhe është larguar, duke u bërë e mundur kapja e tij pas disa orësh”, thuhet në dosjen e akuzës. Sipas saj, prania e mjetit lundrues pranë asaj zone rezulton e pasqyruar në raportet e mbajtura nga forcat e policisë që kanë kryer raportet e shërbimit, ku kanë dokumentuar veprimet. Gjatë këqyrjes së furgonit janë zbuluar dhe marrë disa gjurmë të vlefshme për identifikim, për të cilat është vendosur kryerja e ekspertimit daktiloskopik dhe pas ekspertimit rezulton se këto gjurmë nuk i përkasin të pandehurit. “Për Kledian Kokën, hetimet janë të plota, ndaj materialet në ngarkim të tij duhen veçuar, ndërsa në lidhje me bashkëpunëtorët e tjerë hetimi do të vazhdojë” thuhet në dosjen e akuzës.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›