Ministri i Arsimit, Enver Hoxhaj u takua me kryetarin e Vushtrrisë, Bajram Mulaku

Vushtrri, 20 janar NOA - Për një vizitë
komunës së Vushtrrisë, ka qëndruar ministri i Arsimit, Shkencës dhe
Teknologjisë, Enver Hoxhaj, ku është pritur nga kryetari i Komunës së
Vushtrrisë, Bajram Mulaku, me bashkëpunëtorë.
Gjatë këtij takimi ministri Hoxhaj e ka
uruar kryetarin Mulaku për mandatin e dytë si udhëheqës i kësaj komune,
ndërsa me të ka biseduar rreth çështjeve të ndryshme që kanë të bëjnë me
arsimin në përgjithësi në Komunën e Vushtrrisë.
Me ligjin e ri për Arsimin Parauniversitar,
(ligj për të cilin tashmë ka filluar debati publik), komunat do të marrin shumë
më tepër kompetenca lidhur me arsimin, ndërsa shkollat do të marrin përgjegjësi
shtesë tha me këtë rast ministri Hoxhaj.
Ai theksoi faktin se edhe shkollat e
Vushtrrisë, duke filluar nga janari i vitit 2011, do të kenë autonomi
financiare dhe administrative. Duke qenë se me ligjin e ri, arsimi i mesëm do
të jetë i obligueshëm, ministri Hoxhaj deklaroi se në komunën e Vushtrrisë do
të ndërtohet edhe një shkollë e mesme e përgjithshme.
Ndërsa, kryetari i Komunës së Vushtrrisë,
Bajram Mulaku theksoi traditën intelektuale dhe arsimdashëse për të cilën
njihet ky qytet. Kryetari Mulaku, po ashtu përmendi edhe rezultatet e mira
që kanë treguar nxënësit e kësaj komune në Provimin Shtetëror të Maturës.
Hajdin Islami/NOA