SHBA, demokratët pësojnë humbje të madhe

Uashington, 20 Janar - Humbja e një ulëseje në
Senat për shtetin veriperëndimor të Masaçusetsit, është goditje e dyfishtë për
presidentin e Shteteve të Bashkuara, Barak Obama.
Kjo e privon Partinë Demokratike nga 60 ulëset, të nevojshme për ti shmangur
pengesat e republikanëve që ti bllokojnë planet e tij. Prej sot, Obama duhet
të mbështetet në negociatat dhe kompromisin për ti kaluar ligjet, por për këtë
ka pak vullnet në Senat.
Kjo është, gjithashtu, goditje e rëndë psikologjike për presidentin dhe partinë
e tij, sepse e humbën atë që deri tash ishte ulëse e sigurt e demokratëve. Ky
vend për afro 50 vjet ishte i zënë nga senatori i ndjerë, Eduard Kenedi, i cili
vdiq vitin e kaluar, dhe më parë nga i vëllai, Xhon Kenedi, i cili u bë
president i Shteteve të Bashkuara.
Në një video të postuar javën e kaluar në faqen e tij në internet, Obama
theksoi rëndësinë e mbajtjes së kësaj ulëseje.
Në Uashington, unë luftoj për ti frenuar abuzimet në industrinë, e cila
vazhdimisht e mohon kujdesin shëndetësor. Luftoj për reformën financiare që ta
ndal Uoll Stritin të mos bëjë kërdi me ekonominë tonë".
"Po luftoj që të krijoj një ekonomi të re, energji të pastër. Është e
qartë se epilogu i kësaj dhe betejave tjera fle mbi një votë për Senatin e
Shteteve të Bashkuara. Prandaj, ajo që do të ndodhë të martën në Masaçusets
është shumë e rëndësishme, tha presidenti Obama.
Por, apeli i tij hasi në veshë të shurdhër dhe votuesit në Masaçusets e shfrynë
zemërimin e tyre për vështirësitë e vazhdueshme ekonomike të vendit dhe
shkallën e lartë dyshifrore të papunësisë. Kandidati demokrat, prokurorja e
shtetit, Marta Koaklei, fitoi 47 për qind të votave krahasuar me 52 për qind sa
mori Braun.
Republikani Braun është kritik i paepur i reformave shëndetësore, me të cilat
Obama synon tu ofrojë siguri shëndetësore rreth 36 milionë amerikanëve, të
cilët aktualisht janë të pasiguruar.
Një gjë është e qartë, shumë e qartë ndërsa po udhëtoj në këtë shtet. Njerëzit
nuk duan plan miliarda dollarësh për kujdesin shëndetësor, i cili po u
imponohet me forcë amerikanëve, tha Braun gjatë një tubimi parazgjedhor në
Boston.
Por, përkujdesja shëndetësore nuk është e vetmja nismë e madhe e Obamës që
është vënë në rrezik. Këtu, pos tjerash, janë edhe reformat për rregullimin
financiar. Tash demokratët do ta kenë më të vështirë ti kalojnë në Senat
propozimet e tyre për shtrëngimin e mbikëqyrjes së bankave dhe tregut të
kapitalit.
Demokratët tash duhet të përqendrohen te zgjedhjet e ardhshme për Kongresin, që
mbahen në nëntor. Ato duhet të vendosin nëse do të mbahen më fort rreth
programit të gjerë reformator të presidentit Barak Obama, ose të tregohen më të
moderuar para disponimit të elektoratit.
Saktësisht një vit më parë, në 20 janar, Obama hyri në Shtëpinë e Bardhë mbi
valën e një euforie me premtime për ta përtrirë dhe riforcuar vendin. Në vend
të kësaj, Kongresi mund të përballet me udhë pa krye, që nënkupton se
administrata mund të paralizohet nga paaftësia e vet për ta miratuar programin
legjislativ të saj. /rfe/