Ratifikimi i Traktatit të Lisbonës, kryeministri Berisha përshëndet mbylljen e procesit

“Tani hapet një kapitull i ri për integrimin e Shqipërisë në BE”
Kryeministri Sali Berisha dhe ministri i Punëve të Jashtme Ilir Meta, përshëndesin finalizimin e procedurave të ratifikimit të Traktatit të Lisbonës. Shefi i ekzekutivit shqiptar, Berisha e cilëson këtë si një moment të rëndësishëm për mbarë kombin dhe aspiratën e Shqipërisë, për t’u bërë pjesë e familjes së madhe evropiane.
Kryeministri Sali Berisha përshëndeti dje mbylljen e procedurave të ratifikimit të Traktatit të Lisbonës, duke e konsideruar atë si një ngjarje historike për mbarë shqiptarët dhe ambicien kombëtare për t’u integruar në Union. Në takimin e përjavshëm me kabinetin qeveritar Berisha tha se kjo është një arritje e madhe edhe për të gjitha kombet që aspirojnë të anëtarësohen në BE. “Ishte një ditë historike për Bashkimin Evropian dhe mbarë Evropën. Përfundoi ratifikimi i Traktatit të Lisbonës, i cili krijon një marrëdhënie të re institucionale në Bashkimin Evropian. Mbi bazën e këtij Traktati, BE-ja do të ketë presidentin e tij që zgjidhet çdo dy vjet e gjysmë, do të ketë përfaqësuesin e lartë të politikës së Jashtme, i cili do të jetë njëkohësisht Zëvendëspresident i Komisionit Evropian. Në Traktat, parashikohen prerogativa më të gjëra për Gjykatën Evropiane”, u shpreh kryeministri.
Kreu i qeverisë vuri në dukje se në thelbin e tij, Traktati i Lisbonës i jep një goditje të fortë euroskeptikëve. “Kjo është një fitore e evropeizmit, fitore e madhe e forcave të integrimit, forcave evropeiste dhe një përgjigje përfundimtare ndaj euroskepticizmit”, tha Berisha.
Sipas kryeministrit, Traktati është një dokument jetik për zgjerimin e Bashkimit Evropian me shtete të reja aspirante. “Traktati direkt nuk ka të bëjë me zgjerimin, por, në një aspekt, ai ishte jetik për zgjerimin, sepse në vështirësitë e miratimit të tij, e vërteta është se disa vende nuk kanë pasur dëshirë të trajtojnë probleme të tjera përveç Traktatit, kanë hezituar të komplikojnë më tej axhendën me zgjerimin pa pasur një situatë të qartë mbi fatin e Traktatit të Lisbonës. Në këtë kontekst, miratimi i Traktatit, për të gjithë ata kombe që aspirojnë të anëtarësohen në BE dhe janë në marrëdhënie kontraktuale me BE-në, ndër ta kombi shqiptar, përbën një ngjarje madhore dhe shumë të mirëpritur, çka për ne do të thotë një proces i konsoliduar dhe i pa rikthyeshëm drejt anëtarësimit në BE, por edhe një përgjegjësi më e madhe nga ana jonë për të qëndruar në lartësinë e detyrave që kërkon ky proces”, nënvizoi Berisha.
Kreu i ekzekutivit komentoi se me ratifikimin e Traktatit hapet një kapitull i ri dhe për integrimin e Shqipërisë në familjen e madhe evropiane. Kjo tha kryeministri lidhet me faktin e shumë diskutuar se krahas reformave të ndërmarra nga qeveria dhe performancës së vendit, pikë referimi ishte dhe Traktati i Lisbonës.
“Në qoftë se deri para ratifikimit të Traktatit në procesin e integrimit tonë, krahas performancës së domosdoshme nga ana e vendit dhe qeverisë, në qëndrimet e mbajtura një rëndësi dhe rol të caktuar ka pasur edhe vetë ecuria e ratifikimit të Traktatit të Lisbonës, sepse nuk mund të mohohet se ekziston një përshtypje jo pak e përhapur tek disa kombe, anëtare të BE-së, se zgjerimi po krijon telashe, ose një nga arsyet pse nuk u votua Kushtetuta ishte se qytetarët e këtyre vendeve nuk qenë shumë të kënaqur me zgjerimin. Ndonëse e vërteta është se pasojat e zgjerimit kanë qenë thellësisht pozitive në terma ekonomikë dhe në terma të tera, por, prapë se prapë, përshtypja, faktori psikologjik dhe disa faktorë të tjerë, nuk mund të thuhet se nuk ndikuar p.sh në punësim dhe se nuk kanë pasur ndikim në disa vende”, tha Berisha.
Në këtë kontekst, shtoi kryeministri, miratimi i Traktatit u jep përgjigje të gjitha këtyre hezitimeve, procesi i zgjerimit nuk ka më një efekt negativ në ecurinë e Traktatit dhe kjo është një gjë shumë e madhe.
Kreu i qeverisë shqiptare theksoi angazhimin e qeverisë për të plotësuar standardet që rrjedhin nga procesi i integrimit në BE. Berisha u shpreh optimist për marrjen në një kohë të shpejtë të statusit të vendit kandidat dhe nga kjo pikë premtoi ndërmarrjen e angazhimeve të reja të kabinetit që drejton dhe njëherazi iu referua mbështetjes së marrë në samitin e Partive Popullore, për të përmbyllur me sukses procesin e integrimit.
“Performanca jonë mbetet përcaktuese në procesin e integrimit. Ne kemi paraqitur kandidaturën për të fituar statusin e kandidatit. Në samitin e fundit të Partive Popullore Evropiane, unë mora garanci se e vetmja çështje që ka mbetur është problemi i konstituimit të parlamentit gjerman. Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese gjermane, e cila në vlerësimin e Traktatit, e ka gjetur në përputhje me Kushtetutën gjermane, por ka kërkuar që qeveria të konsultohet me parlamentin për të gjitha hapat e vendimet që ajo merr e që kanë lidhje me Bashkimin Evropian, me zgjerimin e tij dhe politika të tjera në tërësi. Kancelaria Merkel më dha garanci të plotë se pas konstituimit të parlamentit, do të bëjë çdo përpjekje për ta zgjidhur këtë çështje në kohën më të shkurtër. Ne gjithashtu, duhet të përpiqemi me çdo kusht, me seriozitetin më të madh t’u përgjigjemi të gjitha kërkesave të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, të përgatitemi për përgjigjen më të saktë të mundshme të pyetësorit, që do të ketë me mijëra pyetje, të ecim, ashtu siç po ecim, me seriozitet shumë të madh në plotësimin e të gjitha kërkesave për heqjen e vizave. Ky proces ka ecur me seriozitet të madh dhe jam i bindur se e gjithë problematika do të trajtohet po kaq seriozisht sa është ajo e heqjes së vizave, të cilën shqiptarët mezi e presin”, vijoi më tej kryeministri.
Berisha tha në përfundim se Traktati i Lisbonës është një arritje e madhe në rrafshin institucional, legjislativ dhe zëvendëson Kushtetutën, që nuk u pranua në referendum nga dy kombe të BE-së, kombi francez dhe ai holandez.
“Me këtë Traktat, baza ligjore e funksionimit të BE-së shkëputet nga Traktati i Nisës dhe vjen në një fazë të re”, theksoi kryeministri.
Në të njëjtën linjë u shpreh edhe Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta. Shefi i diplomacisë shqiptare tha se, “hyrja në fuqi e Traktatit të Lisbonës, shënon fillimin e një epoke të re dinamike për të ardhmen e Bashkimit Evropian, duke rritur njëkohësisht efikasitetin e Unionit dhe peshën e tij në arenën ndërkombëtare”, Sipas ministrit, Meta, Traktati i Lisbonës synon të lehtësojë punimet e BE-së që përbëhet nga 27 shtete, pothuaj sa dyfishi krahasuar me vitin 2004 kur një valë shtetesh ish-komuniste, përfshi edhe Republikën Çeke, iu bashkuan BE-së.
...