Sushic: Bosnja në sulm ndaj Shqipërisë, kemi shansin për vendin e dytë
BOSNJE- Shqipëria do të luajë të martën në mbrëmje një nga ndeshjet më të rëndësishme në eliminatoret e Europianit 2012, kur të përballet në Zenica me Bosnje-Hercegovinën. Edhe pse përballë është një nga skuadrat më të forta të Evropës, kombëtarja shqiptare shkon në këtë sfidë me statusin e një ekipi që qëndron më sipër në tabelën e renditjes. Bëhet fjalë për një sfidë direkte për vendin e dytë, duke qenë se kuqezinjtë kanë 8 pikë dhe boshnjakët vetëm 7. Në konferencën e sotme për shtyp, trajneri Safet Sushiç deklaroi se do të hedhë në fushën e lojës një skuadër tërësisht sulmuese dhe me urdhra të qarta për të arritur fitoren. Po ashtu, ai tha se do të ketë edhe disa ndryshime në krahasim me formacionin që zbriti të premten në fushë ndaj Rumanisë. “Ndaj Shqipërisë do të hedh në fushë ekipin më të mirë, - deklaroi Sushiç. – Do të shfrytëzoj edhe agresivitetin e disa futbollistëve për ta “shkatërruar” Shqipërinë. Ne kemi ende një shans real për të qenë të dytët dhe për këtë kemi nevojë për një fitore në ndeshjen e nesërme. Por, do të ishte një “vetvrasje” nëse do të luanim me të njëjtën skuadër si në Bukuresht. Do të kemi një ndryshim ose dy, por në këto momente nuk dua ta them se kush do të luajë. Sidoqoftë, në fushë do të hedh një skuadër që duhet të fitojë me Shqipërinë”, shtoi më tej tekniku boshnjak. Ai ka pranuar se kombëtarja kuqezi është një skuadër e fortë, por është shprehur i sigurt për fitoren, sidomos duke parë se luhet përpara tifozëve boshnjakë. Ndërkohë, kombëtarja shqiptare ka mbërritur rreth orës 13 në Zenica, ku është pritur nga një interesim i madh i mediave boshnjake. Kuqezinjtë do të kërkojnë të paktën një pikë në fushën e Bosnjes, por përballë do të kenë një skuadër tepër agresive.
Ndeshja mes Shqipërisë dhe Bosnjes do të zhvillohet të martën në orën 20.15, në stadiumin e Zenicës. Ajo do të gjykohet nga arbitri holandez Kevin Blom.
(m.a/A. Latifi/BalkanWeb)
Ndeshja mes Shqipërisë dhe Bosnjes do të zhvillohet të martën në orën 20.15, në stadiumin e Zenicës. Ajo do të gjykohet nga arbitri holandez Kevin Blom.
(m.a/A. Latifi/BalkanWeb)