E Diel, 1 Nëntor 2026

Sot përballja Kuzhe “tremb” boshnjakët: Do ju mundim

BOSNJE- Nuk ka aspak frikë trajneri i kombëtares shqiptare Josip Kuzhe, që në prag të takimit të sotëm ndaj Bosnjes, u është drejtuar gazetarëve vendas me një ton deri diku arrogant. Në konferencën e zakonshme për shtyp para ndeshjes, të mbajtur sonte në stadiumin e Zenicës, Kuzhe ka deklaruar se Shqipëria nuk i druhet emrit të kundërshtarit. “Sigurisht që Bosnja është favorite në këtë ndeshje, por ne nuk kemi aspak frikë, - ka deklaruar tekniku i përfaqësueses kuqezi, duke iu drejtuar gazetarëve. – Duhet të dini diçka: nëse nuk pësojmë gol në 20 minutat e para, atëherë e keni të humbur ndeshjen”. Fjalët e tij kanë bërë xhiron e mediave në Bosnje, që i kanë komentuar ato në mënyra të ndryshme. Për çudi, Kuzhe është nga të vetmit që beson se kuqezinjtë mund të dalin me fitore nga stadiumi i Zenicës. Ai i ka mëshuar shumë faktit që boshnjakët kanë disa probleme në mbrojtje, por edhe që ata janë një skuadër jo aq e organizuar. Në krah të Josip Kuzhe, ka qenë sulmuesi Hamdi Salihi, që duket e ka kaluar plotësisht dëmtimin dhe sot do të jetë titullar bashkë me Erjon Bogdanin. “Po, jam gati të luaj, - ka thënë sulmuesi shkodran. – Me Bosnjen kam hesape të vjetra, sepse në ndeshjen e kaluar pata shumë raste dhe i shpërdorova”, shtoi Salihi. Ndërkohë, stërvitja e kombëtares ka shkuar pa asnjë problem, ndërsa për ndeshjen e sotme do të jetë në fushë e njëjta skuadër që Kuzhe publikoi në konferencën për shtyp të dy ditëve më parë. Përpos fjalëve të teknikut, Shqipëria do të jetë më shumë e orientuar drejt mbrojtjes, pasi përballë ka një nga ekipet më të forta të Ballkanit, me futbollistë si Xheko, Misimoviç apo Pjaniç, që luajnë me ekipet e njohura të kontinentit.
(m.a/A. Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›