Ministri i Brendshem ne Has inspekton situaten
Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani gjatë inspektimit që zhvilloi sot në Komunën Golaj të Hasit siguroi mbështetje dhe u bëri thirrje autoriteteve vendore të vijojnë punën jo vetëm për komunikimin e qendrave të komunave me akset rrugore kombëtare, por edhe për hapjen e rrugëve që lidhin qendrat e fshatrave me qendrat e komunave. “Të vijojë pa ndërprerje puna ashtu siç ka vazhduar gjatë gjithë këtyre ditëve në mënyrë të tillë që gjatë këtyre ditëve çdo qendër komune të jetë e lidhur me akset rurale dhe nacionale. Gjithashtu ne vazhdojmë të mbështesim dhe do të mbështesim kryetarët e komunave, kryepleqtë e fshatrave me fonde për të vijuar hapjen e rrugëve të fshatrave për t’i lidhur me qendrat e komunave”, vlerësoi ministri Nishani. Mnistri Nishani nënvizoi se çelësi i suksesit për përballimin e emergjencës ka qenë solidariteti mes të strukturave shtetërore, qeverisjes vendore dhe komunitetit. “Solidariteti mes qytetarëve, komunitetit, përfaqësuesve të pushtetit lokal, agjencive të shtetit dhe qeverisë, bëri të mundur që ne të përballim një situatë shumë të vështirë dhe të jemi sot brenda një kohe shumë të shkurtër me mundësi të mëdha lëvizjeje për qytetarët”, vuri në dukje Nishani. Ministri i Brendshëm kreu edhe një vizitë ngushëllimi në familjen e Isa Qarrit, në fshatin Qarr të Komunës Golaj, i cili humbi jetën për shkak të të ftohtit megjithë angazhimin e strukturave shtetërore për të shpëtuar jetën e tij, ashtu si të personit tjetër që u bllokua nga bora së bashku me të.