Ministria e Mbrojtjes nderon kapiten Feti Voglin

Sot në mesditë, në Ministrinë e Mbrojtjes, në nderim të kapiten Feti Vogli, i cili humbi jetën në Afganistan, u organizua ceremonia e uljes në gjysmë shtizë të Flamurit Kombëtar. Në këtë ceremoni ishin të pranishëm ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjeneral-major, Xhemal Gjunkshi, gjeneralë dhe drejtues të tjerë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm. Personeli i Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm, ushtarakë dhe civilë, u rreshtuan në oborrin e Ministrisë së Mbrojtjes, në respekt dhe nderim të veprës së kapiten Feti Vogli. Më pas, përmes një dhimbje të thellë njerëzore dhe një solidariteti për veprën heroike të kapitenit Feti Vogli, u ul në gjysmë shtizë Flamuri Kombëtar, i vendosur në një vend qendror në Ministrinë e Mbrojtjes.