E Shtunë, 31 Tetor 2026

Festivali i 47-të i Këngës në RTVSH zbardh detajet



Ditën e djeshme, në mjediset e RTVSH-së, organizatorët e Festivalit të Këngës në RTVSH, që është dhe evenimenti më i madh muzikor i përvitshëm, kanë zbardhur detajet mbi zhvillimin e edicionit të 47-të të këtij kompeticioni. Në garë do të jenë mbi 20 këngë që prezantohen për herë të parë përballë publikut shqiptar dhe që mbajnë firmat e kompozitorëve dhe autorëve më në zë të tregut muzikor në vendin tonë. Siç deklarojnë organizatorët, ky edicion do të startojë më 19 dhjetor dhe do të mbyllet me natën finale të festivalit më 21 dhjetor ku do të shpallet dhe kënga më e mirë, qw ka të drejtën të përfaqësojë Shqipërinë në kompeticionin më të rëndësishëm muzikor të kontinetit, siç është Eurosong, pra Festivali Europian. Është bërë gjithashtu një prezantim i stafit të këtij festivali, i cili do të vazhdojë të ketë për prezantuese këngëtaren Elsa Lila, e cila do të shoqërohet nga dy personazhe po kaq simpatikë e të dashur për publikun siç janë: Gentian Zenelaj dhe Julian Deda. Drejtor artistik i festivalit sivjet do të jetë kantautori Pirro Çako, ndwrsa me skenografinw do të merret Bashkim Zahaj. Regjia, si gjithmonë, mban emrin e Pali Kukes. Drejtori i Përgjithshëm i RTVSH-së, Petrit Beci, ka deklaruar se në këtë edicion do të marrin pjesë emrat më të njohur të muzikës shqiptare si: Rovena Dilo, Soni Malaj, Juliana Pasha, Shpat Kasapi etj. Në fakt, (me përjashtim të Rovenës) nuk duket se këta janë emrat më të njohur të traditës muzikore shqiptare, megjithatë nuk mohohet mundësia që mjaft këngëtarë të tjerë, protagonistë të muzikës dhe të këtij festivali gjatë viteve të kaluara, të jenë sërish pjesëmarrës. Një ndër veçantitë e festivalit do të jetë se gjatë natës së parë 20 këngët do të këndohen live, për të kaluar në natën e dytë të festivalit, e cila do të jetë e veshur më tepër me elemente të spektaklit, të ftuar specialë që mbeten ende surprizë dhe elementë të tjerë të këtij edicioni. Juria e festivalit do të ketë në përbërjen e saj shtatë personalitete të muzikës, por edhe tw fushave të tjera, të cilët gjithashtu nuk bëhen të ditura për momentin. Ndërkohë që Elsa Lila, sërish e tërhequr nga gara, vjen në rolin e prezantueses dhe shpreh kënaqësinë për një bashkëpunim me dy partnerët e rinj Zenelaj dhe Deda. Drejtori artistik i festivalit, Pirro Çako, thotë: “Jam optimist për prurjen e këngëve. Këtë vit, ato kanë qenë interesante. Ka mjaft autorë të rinj që marrin pjesë për herë të parë në këtë festival, siç nuk do të mungojnë edhe autorët me eksperiencë”.
P. GROSI

10 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›