E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria e vogël në mes të Nju Jorkut



Eduart NURKA*
Data 9 nëntor 2008 ishte një datë e shumëpritur në Nju Jork të SHBA-ve. Komuniteti shqiptar në SHBA kishte disa muaj që bisedonte për të dhe mezi priste që kjo ditë të afrohej. Arsyeja? Në këtë datë, në “Lehman Center for the Performin Arts”, do të zhvillohej Festivali i 18-të Shqiptar, i cili i ishte dedikuar pavarësisë së Kosovës. Ja ku jemi, data 9 nëntor 2008, ora 18:00, salla prej rreth 3000 vendesh është e tejmbushur dhe gumëzhin shqip. Në hyrjen kryesore njëri ndër organizatorët lajmëron me megafon turmën prej 200-300 vetash, që kërkon të hyjë brenda, se vendet janë të mbushura. Interesimi i shqiptarëve për traditën e tyre, folklorin dhe trashëgiminë duket në maksimum. Dikush aty afër na thotë: “Pse habiteni? Çdo vit kështu bëhet. Ka 18 vjet që kjo sallë mbushet plot”. Dokumentari që u shfaq në hapjen e koncertit na rikujtoi të gjithëve rrugën e mundimshe që kaloi Kosova drejt pavarësisë. Dhe ja dy prezantuesit që paraqitën programin. Që në fillim u ndie aroma shqiptare, çdo gjë fliste shqip, belbëzonte shqip, fëshfërinte shqip. Ndihej kjo që në emërtimet e ansambleve pjesëmarrëse, “Bashkimi kombëtar”, ansambli “Rugova”, grupi “Rozafati”, grupi “Gjergj Kastrioti”, ShKA “Kelmendi” etj. E ku ka më shqip se kaq? Festivali u hap me Majë Krahu-n tradicional të Malësisë së Madhe, të interpretuar nga grupi “Djemtë e Kelmendit”, mrekullia e radhës në skenë erdhi nga kënga që titullohej “ABC” dhe këndohej nga kori i fëmijëve “Rozafati”. Si mund të mos mallëngjeheshe nga këta fëmijë që ishin të lindur në SHBA apo kishte nga ata që edhe gjyshi i tyre kishte lindur po në SHBA por këndonin shqip kaq ëmbël dhe kaq pastër, sa të dukej si një kor bilbilash në flladin pranveror. Pasi përfundoi kjo mrekulli e fëmijëve, po grupi “Rozafati” luajti vallen “Festojmë të gëzuar”, e cila ia la radhën këngëve dhe valleve për trimat shqiptarë të luajtura nga ansambli “Rugova”. E bukur dhe trimëreshë tingëllonte lahuta e Hysen Kurtaj duke kënduar “Këngë kreshnike”. Timbri i saj mbushte sallën ndërsa zëri i kthjellët i Hysenit çante qiejt. Skena u pushtua nga kostumet e bukura të zonës së Rugovës që ishin ruajtur me fanatizëm e të padeformuara nga shqiptarët atje. Pas rugovasve, skena u mbush nga grupi “Bashkimi kombëtar” çiftelitë e të cilëve cicëronin ëmbël në lirike dhe trimërisht në epikë. Ndihej dora e Gjergj Dedvukajt dhe Tom Gjergjit në këtë grup, të cilët edhe në sekondat e fundit para se të dilnin në skenë kontrollonin gjithçka që grupi ta përfaqësonte sa më denjësisht shqiptarinë. Këngët kushtuar pavarësisë së Kosovës dhe të burgosurve të Malësisë ngritën sallën në këmbë, po ashtu edhe “Vallja e çobanit” që u interpretua nga ish-valltari i Ansamblit Kombëtar Fatmir Filaj dhe kolegia e tij Linda Zoraqi. Nuk na u duk çudi kur në skenë u ngjit një këngëtare e re por zëëmbël, e quajtur Eliverta Nika, vajza e këngëtarit të mirënjohur shqiptar Gëzim Nika, pasi familja Nika, Gëzimi, e shoqja Angjelina dhe e bija e tij, kishin vite që ishin faktorë kryesorë në organizimin e këtij evenimenti shqiptar në Nju Jork. Jo më kot, Gëzimi ishte regjisor i Festivalit, apo disa valle të luajtura kishin dorën koreografike të Angjelina Nikës. Skena filloi të gjallërohej duke u shfaqur të gjitha grupet një nga një, kostumet tradicionale vezullonin nga ngjyrat e shumta karakteristike, skena buçiste nga daullet e veriut por edhe nga tingujt e ëmbël të valles kolonjare apo këngëve dashurore të Ulqinit. Në këtë skenë, grupet e SHKA “Kelmendit”, “Bashkimi” nga Bostoni, SHKA “Ulqini” etj. sollën
Shqipërinë, sollën Shqipërinë tradicionale me kulturën dhe traditën e vet. Në Festival nuk kishin se si të mungonin edhe grupe të ftuar nga trojet shqiptare. Kështu, në skenë u ngjitën grupi i Ulqinit me vallen e peshkatarit apo grupi i SHKA “Gurra” që vinte direkt nga Rugova e Kosovës. Surpriza e Festivalit ishte këngëtarja e ftuar Aurela Gaçe, e cila bëri sallën të shpërthejë me performancën e saj. Interpretimi i përkryer, me nota
mallëngjyese, preku zemrat e të gjithë të pranishmëve sa nuk rezistonin dot pa i kërkuar të dilte sërish në skenë. Nuk mund të mos binte në sy diku nga fundi i programit grupi “Shqiponja” që vallëzoi një valle të Jugut. Ky grup, i drejtuar nga koreografi i talentuar vlonjat Olsi Gjeçi, premtonte shumë. Premtonte shumë pasi aty kishte të rinj të talentuar që e donin trashëgiminë e tyre, që e donin vendin e tyre, që e donin Shqipërinë. Kjo ishte çka u pa në skenë, performime të mrekullueshme, zëra të ëmbël,
instrumentistë të talentuar, të cilët mundoheshin të bënin gjithçka për të trashëguar vlerat e të parëve. Kjo ishte një
Shqipëri e vogël, por e mrekullueshme, në mes të SHBA-ve. Kjo ishte një Shqipëri që rritej e forcohej me gjak të ri, me talente të reja, pa harruar dashurinë e më të moshuarve, megjithëse shumë kilometra larg vendit amë. Për ne si përfaqësues të Qendrës Kombëtare të Veprimtarive Folklorike pranë MTKRS qe një eksperiencë shumë e vlefshme. Idetë tona ishin të qarta: nga ky Festival do të dalin edhe numrat më të mirë për t’u përfaqësuar në Festivalin Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës që do të organizohet në shtator të 2009-s. Ishim të bindur se do të gjenim cilësi dhe talente, pasi mjaftonte të hidhje një sy vetëm te stafi artistik: Gëzim Nika, Astrit Tota, Edmond Xhani, Fran
Gjoka, Bashkim Braho etj., emra që në Shqipëri kanë arritur majat e artit muzikor dhe skenik. Një ndjenjë e ëmbël kënaqësie të kalonte në trup kur kaq larg, kaq larg Shqipërisë, këta emra të shquar sërish ishin bashkuar të punonin për një qëllim: të mbanin gjallë vlerat dhe traditat e vendit prej nga vinin. Por edhe në SHBA nuk ishte e lehtë të organizoje evenimente të tilla, të përmasave kaq të mëdha, pasi edhe aty ekzistojnë probleme jo të pakta. Ajo që na ra në sy ishte mungesa e një bordi drejtues të këtyre shoqatave që të koordinoheshin me njëra-tjetrën. Në takimin që ne u kërkuam drejtuesve të shoqatave dhe që u mbajt në lokalin e mikpritësit të të gjithë shqiptarëve, Gjergj Dedvukajt, morën pjesë disa artistë, biznesmenë dhe gazetarë, së bashku me disa përfaqësues të shoqërisë “Kelmendi”, “Rozafati” apo “Bashkimi Kombëtar” që i dhanë ngjyra takimit. Ata ishin Gëzim Nika, Edmond Xhani, Astrit Tota, Fatmir File, Tom Gjergji, gazetarët Adem Belliu (“Albanian Culture”), Dervish Jahjogaj (“Bota sot”) dhe nga gazeta “Illyria”. Nga të pranishmit, kjo tryezë ishte vlerësuar shumë dhe ishte marrë me seriozitet pasi ishte hera e parë që, në përpjekje për një koordinim e bashkëpunim më të mirë të vlerave të folklorit shqiptar, në diasporën e SHBA-ve shkonte një drejtor nga Ministria e Turizmit dhe Kulturës. Ata e vlerësuan këtë vizitë si një hap serioz që shteti shqiptar po bën në kuadër të ruajtjes së vlerave shqiptare kudo në botë dhe të trashëgimisë shpirtërore të kombit. Esat Ruka, drejtori i institucionit shtetëror në Shqipëri, i cili ka të drejtën për organizimin e Festivalit Folklorik të Gjirokastrës, iu përgjigj kështu pyetjes se kujt shoqate nga diaspora në SHBA do t’i drejtohej ftesa nga Qendra Kombëtare e Veprimtarive Folklorike: “Është mirë që gjërat të thuhen në sy. Diaspora shqiptare në Amerikë që arrin të organizojë festivale të tilla, si në Nju Jork, duhet patjetër të ketë një “Bashkim të Shoqërive Kulturore” që do të organizonte dhe drejtonte festivale dhe aktivitete në mbarë diasporën e më gjerë. Këtë do të doja t’ua thoja të gjithë drejtuesve të shoqërive artistike. Asnjëherë nuk është vonë. Sa më shpejt dhe natyrshëm dhe sa më qartë të organizohet ky lloj bashkimi nën drejtimin e një grupi që do të dalë nga këto shoqëri, aq më mirë do të ishte. Në momentin që ju jeni të organizuar dhe të bashkuar në një rrjet shoqatash, edhe për ne është më e lehtë të dimë se kujt do t’i drejtohemi. Kështu si e shoh situatën unë sot është e vështirë edhe për ne në Shqipëri të vendosim se kujt t’i drejtohemi, megjithëse këtu secili grup ka talentet e veta dhe është i mirorganizuar”. Takimi gjithashtu u shtri në probleme të tjera që kishin shqiptarët e SHBA-ve apo shoqatat e tyre. U fol edhe mbi punën që po bën Shqipëria në kuadrin e ruajtjes së trashëgimisë kulturore, në veçanti asaj shpirtërore. U larguam nga Nju Jorku me shijen e ëmbël të mikpritjes matjane që na bëri Tom Gjergji, me zemrën e ngrohur nga ajo copëz Shqipëri që pamë natën e 9 nëntorit në skenë dhe me premtimin se shumë shpejt do të kishim një tjetër ftesë për të ndjekur një Festival në pranverë, që këtë herë do të organizohej nga bordi i rrjetit të Shoqatave që bashkatdhetarët tanë në SHBA do të ngrinin me në krye Gjergj Dedvukajn.

------------
*-Specialist i muzikës në Qendrën Kombëtare të Veprimtarive Folklorike

10 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›