Ministri i Jashtëm gjerman dënon sulmet në Bagdad
Ministri i Jashtëm gjerman Guido Westerwelle dënoi tre shpërthimet vetëvrasëse në Bagdad pranë ambasadave iraniane, gjermane dhe egjiptiane të shtunën, ku mbetën të vrarë të paktën 30 persona.
"Këto janë përpjekje për të prishur paqen dhe përpjekjet për demokraci në Irak. Ne nuk mund t'ia lejojmë vetes të zhvendosemi nga rruga për arritjen e paqes dhe demokracisë," tha Westerwelle në një konferencë shtypi në Këln.
Shpërthimet në kryeqytetin e Irakut, goditën Zonën e Gjelbër, ndërtesat qeveritare dhe ambasadat e huaja. Westerwelle konfirmoi se një roje i sigurisë irakene i cili punonte për ambasadën gjermane, gjet vdekjen pas shpërthimeve.
Autoritetet kishin paralajmëruar një përshkallëzim të mundshëm të dhunës për shkak të tensionit në rritje pas zgjedhjeve parlamentare më 7 mars, ku irakenët shpresonin se do të sillnin stabilitet në vendin e tyre por që nuk pati asnjë fitues të qartë.
"Ne duhet të jemi të vetëdijshëm për mundësitë e dhunës dhe të sulmeve të mëtejshme në Irak, pasi fatkeqësisht ata që dëshirojnë të pengojnë procesin e demokratizimit dhe të paqes janë ende aktivë", përfundoi Westerewelle.
Një burim i Ministrisë së Brendshme tha se nga tre shpërthimet mbetën të vrarë të paktën 30 vetë dhe u plagosën 224 persona.