Ministri i Jashtëm i Kosovës, vizitë dyditore në Tiranë
Me ftesë të homologut të tij shqiptar, ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, ndodhet në Tiranë për një vizitë dyditore.
Hoxhaj po zhvillon një takim në Ministrinë e Jashtme me ministrin Haxhinasto, ku pritet edhe nënshkrimi i marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës në Fushën e Përfaqësimit Konsullor.
Gjatë qëndrimit në Tiranë, Hoxhaj do të takohet edhe me Presidentin e Republikës Bamir Topi, kryeministrin Sali Berisha, kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, si dhe kreun e opozitës, Edi Rama.
Hoxhaj vjen në Tiranë një ditë para aksionit të paralajmëruar nga lëvizja Vetëvendosje me sloganin Serbia nuk kalon. Aksioni që do të zhvillohet nesër në kufirin e Kosovës me Serbinë, në Merdare dhe Dheu i Bardhë ka për qëllim bllokimin e këtyre pikave kufitare deri në fillimin e zbatimit të masave të reciprocitetit.
Aksioni është kritikuar nga qeveria Thaçi. Një ditë më parë, kryeministri kosovar theksoi se nuk do të lejohet përsëritja e janarit të vitit të kaluar të Tiranës edhe në Prishtinë.
Edhe Ministria e Jashtme shqiptare e kritikoi aksionin e Vetëvendosjes nëpërmjet një deklarate për shtyp ditën e djeshme. Në të, aksioni i Vetëvendosjes cilësohet si imitim i politikave ekstremiste serbe, nuk kanë asgjë të përbashkët me sakrificat dhe përpjekjet kontruktive mbarëshqiptare për ndërtimin e shtetit demokratik të Kosovës dhe të një shoqërie multietnike, të një shteti që ndërton dhe zhvillon marrëdhënie të mira me fqinjët, në shërbim të paqes e stabilitetit në Kosovë e rajon.