E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministri i Mbrojtjes rumun: Shqipëria po ecën me shpejtësi në drejtimin e duhur drejt integrimit

Kryeministri Berisha  zhvilloi sot një takim me Ministrin e Mbrojtjes të Rumanisë, zotin Teodor Melescanu.

Duke i uruar mirëseardhjen kryeministri Berisha vlerësoi marrëdhëniet tradicionale të miqësisë dhe bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Rumanisë.

Duke u ndalur në çështjen e integrimit, Kryeministri Berisha e cilësoi Samitin  e ardhshëm të Bukureshtit, si një ngjarje historike për vendin dhe theksoi se qeveria shqiptare dhe të gjitha institucionet shtetërore do të bëjnë çdo përpjekje për të përmbushur standardet dhe kriteret e domosdoshme për të merituar ftesën për anëtarësim. Në këtë kontekst, Kryeministri e njohu zotin Melescanu me ecurinë e reformave të ndërmarra nga qeveria shqiptare në të gjitha fushat duke u ndalur në veçanti në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, konsolidimin e shtetit ligjor, zhvillimin ekonomik, thjeshtimin  e procedurave administrative për biznesin, reformën në fushën e mbrojtjes, etj.

Kryeministri u shpreh se tashmë puna e qeverisë është fokusuar në përmbushjen me sukses të reformës zgjedhore dhe reformës në drejtësi, si elemente shumë të rëndësishëm për përmbushjen e standardeve të kërkuara.

Nga ana  etij,  Ministri rumun Melescanu vlerësoi zhvillimet pozitive në Shqipëri, gjatë viteve të fundit, duke theksuar se këto rezultate do të jenë një element themelor i rëndësishëm që do të meret në konsideratë në Samitin e Bukureshtit nga vendet anëtare. “Shqipëria po ecën me shpejtësi në drejtimin e duhur”, u shpreh Ministri rumun i Mbrojtjes.  Zoti Melescanu vlerësoi në mënyrë të veçantë reformat e ndërmarra nga qeveria në fushën e mbrojtjes, si dhe vendimin e qeverisë për rritjen me 2 % të GDP-së për mbrojtjen.

Zoti Melescanu e siguroi kryeministrin Berisha se Rumania do të vazhdojë të përkrahë Shqipërinë për anëtarësim në NATO dhe BE.  

Ndër të tjera, të dy personalitetet diskutuan për zhvillimet më të fundit në rajon  si dhe u shprehën për intensifikimin e kontakteve të ndërsjella në nivelet më të larta midis dy vendeve.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›