Ministri i ri i Mbrojtjes betohet para Presidentit Topi
Ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, bëri dje betimin para Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi. Ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, e merr këtë post pas dorëheqjes së kreut republikan, Fatmir Mediu. Kuvendi i Shqipërisë votoi të enjten me 73 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, dekretin e Presidentit të Republikës për emërimin e deputetit të Durrësit, Gazmend Oketa, në postin e ministrit të Mbrojtjes. Pas ekzekutimit të Himnit Kombëtar dhe leximit të dekretit përkatës, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i dorëzoi ministrit të Mbrojtjes, Oketa, dekretin e emërimit, duke i uruar suksese në detyrën e re dhe të rëndësishme. Të pranishëm në ceremoninë e betimit të ministrit të Mbrojtjes, ishin përfaqësues të lartë të vendit, ndërkohë që u vu re mungesa e kreut të qeverisë, por edhe të Kryetares së Kuvendit. Pas betimit në Presidencë, Oketa është drejtuar drejt Ministrisë së Mbrojtjes ku ka marrë detyrën nga paraardhësi i tij, Fatmir Mediu. Kandidatura e Gazmend Oketës është miratuar në kryesinë e Partisë Demokratike një javë më parë. Ndërsa Presidenti Topi ka dekretuar ministrin e ri të Mbrojtjes, duke shkarkuar nga funksioni i zv/kryeministrit Oketën. Ky pozicion aktualisht është i lënë pezull, për t‘u zëvendësuar pas Samitit të Bukureshtit nga një emër tjetër brenda Partisë Demokratike.