E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ceremonia e Topit, mungojnë Berisha e Topalli

Kryeministri Sali Berisha dhe Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, mungojnë në ceremoninë e organizuar nga Presidenti Bamir Topi me rastin e emërimit të ministrit të ri të Mbrojtjes. Sipas burimeve zyrtare në Kryeministri, axhenda e ngjeshur e Kryeministrit është bërë shkas i mungesës së tij gjatë kësaj ceremonie, e cila është zhvilluar në orët e para të mëngjesit të djeshëm. Mosprezenca e kreut të qeverisë në dekretimin e një prej ministrave të kabinetit të tij, tregon një ftohje të lehtë mes kreut të shtetit dhe Kryeministrit, ftohje kjo që ka lindur vetëm pak ditë përpara Samitit të Bukureshtit, ku Shqipëria pretendon ftesën për të hyrë në NATO. Një orë më pas, Kryeministri është nisur nga zyra e vet për në Shkollën e Bashkuar ku është zhvilluar ceremonia e ndërrimit të Komandës së NATO-s në Tiranë. Sërish një ftohje marrëdhëniesh është vënë re edhe me shefin e Shtabit të Përgjithshëm, Luan Hoxha. Berisha dhe Hoxha nuk janë takuar megjithëse kanë qenë në të njëjtën ceremoni. Kjo për shkak edhe të ndryshimeve radikale që priten të bëhen në institucionet që janë në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes, por edhe pas deklaratës së ashpër të Kryeministrit për të gjetur përgjegjësit e tragjedisë së Gërdecit. Disa ditë më parë, kreu i qeverisë ka pohuar publikisht dështimin e institucioneve ku mes tyre ka përfshirë edhe Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura. Mungesa e Kryeministrit Berisha në ceremoni të tilla si ajo që u organizua dje nga Presidenti i Republikës duket se do të përsërisë lojën e kungulleshkave që cenoi marrëdhëniet e Kryeministrit Berisha me ish-presidentin Alfred Moisiu.

Ceremonia

Ministri i ri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, është betuar dje përpara Presidentit të Republikës, Bamir Topi, pasi mori bekimin e mazhorancës në Kuvend me 73 vota për të zëvendësuar Fatmir Mediun në detyrën që ai ka kryer tre vitet e fundit. Dje në Presidencë u zhvillua ceremonia e betimit të ministrit të ri të Mbrojtjes. Pas ekzekutimit të Himnit Kombëtar dhe leximit të dekretit përkatës, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i dorëzoi ministrit të Mbrojtjes, Oketa, dekretin e emërimit, duke i uruar suksese në detyrën e re dhe të rëndësishme. Në ceremoninë e organizuar në selinë presidenciale nga Bamir Topi kanë munguar dy figurat qendrore të shtetit, si Kryeministri Sali Berisha dhe Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli. Të pranishëm në ceremoninë e betimit të ministrit të Mbrojtjes ishin zëvendëskryetari i Kuvendit, Fatos Beja, kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Astrit Patozi, kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Vladimir Kristo, Avokati i Popullit, Ermir Dobjani, Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu, kryetari i KLSH-së, Robert Çeku, kryetarja e Inspektoratit të Lartë të Deklarimit të Pasurisë, Fatmira Laska, si dhe drejtori i kabinetit, Dashamir Xhaxhiu, dhe përfaqësues të tjerë të stafit të Presidentit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›