E Diel, 1 Nëntor 2026

Kontrabanda nga Turqia prangos dy biznesmenë dhe tre doganierë

Antikrimi Ekonomik sekuestron 680 kostume dhe mjetin e transportit

Kontrabanda ka vënë në pranga pasditen e djeshme dy biznesmenë dhe tre punonjës të doganës, që dyshohen se mund të kenë bashkëpunuar në këtë aktivitet të paligjshëm. Nga ky operacion i Antikrimit Ekonomik janë sekuestruar 680 kostume të shtrenjta, që vinin nga Turqia, për të cilët nuk ishte paguar doganë. Operacioni është realizuar falë informacioneve operative të mbërritura pranë Sektorit të Antikrimit Ekonomik në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, i cili ka vijuar deri në orët e para të mëngjesit.

Operacioni

Burimet policore të kryeqytetit thanë se dje janë marrë informacione të sigurta se në Rinas kishte mbërritur një ngarkesë e madhe rrobash me një linjë ajrore nga Turqia, me vendmbërritje Shqipërinë. Menjëherë në aeroportin e Rinasit, duke bashkëpunuar edhe me Drejtorinë Rajonale të Kufirit, kanë mbërritur specialistët e Luftës Kundër Krimit Ekonomik në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Ata kanë përgatitur terrenin e duhur dhe sapo avioni ka mbërritur, shoqëruan dy biznesmenët, emrat e të cilëve nuk janë publikuar deri në orët e vona të mbrëmjes, për shkak të hetimeve. Më pas, policia ka sekuestruar edhe mallin që ata kishin me vete. Sipas të dhënave, biznesmenët kishin sjellë nga Turqia 680 kostume të shtrenjta, vlera e të cilëve llogaritet në qindra mijëra dollarë. Sipas të dhënave hetimore, kostumet ishin blerë në vendet e Lindjes dhe tregtoheshin në dyqanet e dy personave të prangosur. Më pas është konfiskuar edhe i gjithë dokumentacioni për mallin, ku rezulton se ata nuk kishin paguar taksën doganore.

Në këto kushte, dy biznesmenët janë shoqëruar në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës, ndërkohë që puna ka vijuar me kontroll në banesat e tyre dhe në magazinat, që i kishin pranë tregut të madh, te rruga “5 Maji”. Atje, policia ka sekuestruar edhe shumë mallra të tjerë, për të cilët nuk kishte dokumentacion të rregullt për futjen në tregun shqiptar.

Hetimi

Grupi hetimor po punon për dokumentimin e gjithë veprimtarisë së këtyre dy personave, që bashkëpunonin për futjen e mallit kontrabandë dhe për identifikimin e personave të tjerë, që i kanë ndihmuar në këtë aktivitet kriminal. Sipas të dhënave hetimore, dyshohet se ata mund të kenë bashkëpunuar edhe me autoritetet doganore. Më tej, oficerët e Antikrimit Ekonomik kanë marrë në pyetje dy biznesmenët në lidhje me këtë aktivitet, si dhe kanë bërë sekuestrimin e mjetit me të cilin do ta transportonin mallin drejt magazinave. Gjithashtu, policia ka marrë në pyetje edhe personat që kanë qenë në turn për autoritetet doganore, gjatë momentit kur ka kaluar malli kontrabandë. Madje, policia tha se ka shoqëruar tre prej tyre, për të cilët pritej edhe urdhri i prokurorit për veprime të mëtejshme. Ata janë shprehur se dy biznesmenët nuk e kishin deklaruar mallin e plotë dhe kishin dhënë dokumente vetëm për një sasi të vogël, për të cilat kanë paguar taksat doganore. Megjithatë, policia nuk ka dhënë detaje të mëtejshme mbrëmë në lidhje me këtë aktivitet, duke deklaruar se hetimet vijojnë. Gjatë ditës së sotme pritet edhe dokumentimi i plotë i veprës penale të konsumuar prej tyre dhe identifikimi i të gjithë personave të përfshirë në kontrabandën e konfeksioneve.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›