Ministri në detyrë
Behgjet Pacolli duket se ka mbetur njeriu i vetëm që po bën ndonjë punë në Kosovë.
Në ditët kur institucionet e vendit pothuajse janë mbyllur me dry e liderët po merren me pasojat e manipulimeve të zgjedhjeve të 12 dhjetorit, kreu i AKR’së solli një lajm të mirë.
Ai doli në konferencë për media dhe njoftoi se Kosova është njohur nga Guinea Bissau, e cila ka ngritur në 74 numrin e shteteve që kanë njohur pavarësinë.
Në këtë fillimvit, vendit nuk është duke i ecur keq me njohjet. Edhe njohja nga Katari erdhi gjatë janarit.
Ironikisht këto dy njohje ndodhën pikërisht në kohën kur vendi operon me institucione në dorëheqje.
E tani duket se është krijuar një terren i mirë për Pacollin.
Dhe lideri i AKR’së tashmë është mësuar ta shfrytëzojë atë.
Njohjen nga Guinea Bissau, Pacolli e ka prezantuar si të njëzetën me radhë, për të cilën ai ka ndikuar personalisht.
Shprehur në përqindje, Pacolli konsideron se 30 për qind e tyre janë siguruar nga ai.
"Kemi nderin t’u prezantojmë njohjen e 74’të në radhë të Republikës së Kosovës të ardhur nga Republika e Guinea-Bissau, ndërsa njohjen e 20’të me radhë të ardhur nga aktiviteti im lobues. Kjo njohje e sjell në 30% numrin e njohjeve që i kanë ardhur Kosovës si rezultat i aktivitetit tim lobues", tha Pacolli.
Republika Guinea-Bissau ndodhet në Afrikën Perëndimore dhe kufizohet me Senegalin në veri dhe me Guinenë në jug dhe lindje, ndërsa me Oqeanin Atlantik në Perëndim.
E këto të dhëna për Guinea Bissaun janë prezantuar nga Pacolli nëpërmjet video-projektorit. Nuk kanë munguar as karakteristikat tjera për këtë shtet afrikan.
Në konferencë është prezantuar edhe letra që i është dërguar Pacollit nga Presidenti i Republikës së Guinea Bissaus Malai, Bacai Sanha, më datën 10 janar.
Aty konfirmohet njohja e pavarësisë së Kosovës dhe gatishmëria për të lidhur marrëdhënie diplomatike.
E Guinea Bissau me institucionet e Kosovës komunikon nëpërmjet Pacollit.
Në letër shprehet edhe një falënderim për kreun e AKR’së dhe përpjekjet e tij për të lidhur marrëdhënie miqësore mes dy vendeve.
Ajo që ka mbetur në krye të diplomacisë kosovare, Vlora Çitaku, ka konfirmuar njohjen e Kosovës nga ana e Guinea Bissau. Ajo ka thënë se Pacolli e ka informuar për dërgimin e notës verbale nga Guinea-Bissau.
Të enjten, Pacolli ka shfrytëzuar rastin për të folur edhe për rëndësinë e njohjes më të re.
“Është një njohje me rëndësi për Kosovën dhe nëse shikoni njohjet pas vendimit të GJND-së, praktikisht janë njohjet që kanë ardhur ekskluzivisht nga puna e stafit të AKR-së”, ka thënë Pacolli.
Ai ka thënë se edhe për njohjen e parafundit nga Katari ka merita.
“Unë Katarin nuk e kam paraqitur si njohje tonë, por ju garantoj që kam letrën prej kryeministrit të Katarit, i cili thotë ‘ju përgëzojë me këtë njohje, ju e dini mirë që është meritë e juaja ekskluzive’. Të vijnë njohjet, nuk ka rëndësi kush i bien ato dhe të jenë njohje për Kosovën. Sidomos në këtë situatë Kosovës i nevojiten shumë njohje”, ka thënë ai.
E në kohën kur ende nuk dihet se çfarë institucionesh do të ketë vendi, për shkak të procesit katastrofal zgjedhor, Pacolli ka folur edhe për koalicionet.
E për partnerë, lideri i AKR’së i do vetëm ata që janë të pastër.
“T’ju them se nuk jam refuzues. Jemi të përgatitur, mirëpo kemi disa kushte. Dëshirojmë të punojmë me njerëz të mirë dhe dëshirojmë të punojmë me njerëz që kanë vullnet për të kontribuar për Kosovën dhe të punojnë për qytetarin e Kosovës në mënyrë të drejtë e të sinqertë”, ka thënë Pacolli.