E Shtunë, 31 Tetor 2026

Parregullsi të tjera

PZAP ka gjetur fakte të reja. Edhe në rivotime ka pasur manipulime të votave. Të enjten është vendosur të rinumërohen edhe tetë qendra votimi. Komisionerët, të cilët kanë manipuluar në vendvotime, nuk mund të kryejnë detyra të tillë për së paku tri vjet. Nga Faton Ismajli më 14 janar 2011 në ora 09:17

Ende nuk ka përfunduar procesi i rinumërimit të votave të dyshimta të 9 janarit, që po vërtetohet se janë manipuluar në ditën votimeve.

Gjatë ditës së enjte, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtesa ka dërguar në rinumërim edhe tetë qendra të votimit, katër prej të cilave në komunën e Skënderajt, tri në të Deçanit dhe një në komunën e Drenasit.

Lajmin e ka konfirmuar kryesuesi i PZAP’it, Shukri Sylejmani. Sipas tij, pjesë e vendimit është edhe ajo që komisionerët, për të cilët është thënë se kanë manipuluar në vendvotime, nuk mund të kryejnë detyra të tillë për së paku tri vjet.

Ky vendim i PZAP’it ka ardhur pas ankesave të PDK’së, LDK’së dhe Lëvizjes Vetëvendosje, të cilat kanë vërejtur parregullsi më 9 janar.

Zyrtarët e KQZ’së kanë konfirmuar se janë njoftuar me vendimet e PZAP’it, duke premtuar se vendimi do të ekzekutohet të premten. Megjithëkëtë, vendimi i parë për rinumërimin e 92 kutive të dyshuara të 9 janarit ka përfunduar.

Zëdhënësi i KQZ’së, Fehmi Ajvazi, ka sqaruar se raportin për pjesën e parë të votave të rinumëruara, pritet që KQZ ta marrë të premten nga QNR’ja.

“Procesi i rinumërimit ka përfunduar dhe Qendra e Rinumërimit të Rezultateve pritet të sjell një raport gjatë ditë së premte”, ka thënë ai.

Nga ana tjetër, është paralajmëruar se do të hetohen edhe 27 kuti të votimeve të 9 janarit.

Burime të Express nga QNR’ja tregojnë se komisionerët kanë përdorur të njëjtat metoda për t’i manipuluar votat e deputetëve.

“Kësaj radhe ka më pak manipulime, por prapë kemi mospërputhje të votave të deputetëve në krahasim me numrin e votave të partisë. Këto defekte janë riparuar pas rinumërimit”, ka thënë burimi i gazetës.

Pas auditimit që QNR u bëri 185 kutive, i rekomandoi KQZ’së që të udhëzojë rinumërim të 92 kutive, formularët e të cilave nuk përputhen me votat reale brenda kutive.
Gjithashtu, 27 kuti të tjera janë në procedurën e hetimit dhe më vonë QNR’ja do të konstatojë nëse do të rinumërohen apo jo.

Megjithëkëtë, gjetjet e PZAP’it, në vendimet për komunat ku janë përsëritur zgjedhjet, precizojnë se dëmtimet e procesit nuk ndikojnë në rezultatin përfundimtar. Në bazë të këtij fakti, PZAP nuk ka marrë vendim për ripërsëritjen e votimeve në vendet ku janë konstatuar shkeljet.

Sipas vendimit, në komunën e Skenderajt janë konstatuar 324 nënshkrime të parregullta, respektivisht më pak se një për qind e rezultatit. Në Deçan janë konstatuar 45 nënshkrime të falsifikuara, derisa në Drenas 92 nënshkrime të parregullta.
Faktet për këto shkelje, sipas zyrtarëve të PZAP’it, do të dërgohen në Prokurorinë e Shtetit, ku edhe do të fillojnë procedurat hetimore për ngritjen e aktakuzave për manipuluesit e zgjedhjeve.

Zgjedhjet e 12 dhjetorit po vazhdojnë të kontestohen për shkak të manipulimeve që janë bërë kryesisht nga komisionerët e partive politike. Përveç në Skënderaj, Drenas e Deçan, zgjedhjet do të përsëriten më 23 janar edhe në Mitrovicë.

Krasniqi: Zgjedhjet e lënduara
Presidenti në detyrë Jakup Krasniqi e ka quajtur të lënduar procesin zgjedhor të 12 dhjetorit. Ai shpreson që me ripërsëritjen e zgjedhjeve në disa komuna, do të përmirësohet ajo që ka ndodhur. Gjatë vizitës në Tiranë, të enjten, Krasniqi tha se ka besim të madh në institucionet e pavarura të vendit se do të bëjnë çmos që praktika e lëndimit të procesit zgjedhor të mos vazhdojë më. Sipas tij, pas përfundimit të rinovimit në komunën e Mitrovicës, do të krijohen menjëherë edhe institucionet e reja të Kosovës.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›