E Diel, 1 Nëntor 2026

Sa jemi rritë

Regjistrimi i popullsisë do të bëhet siç është planifikuar, nga 1 deri më 15 prill. Formularët për regjistrim janë gati dhe të miratuar nga Komisioni Qendror i Popullsisë. Banorët e Kosovës do t’u përgjigjen shumë pyetjeve individuale, familjare dhe ekonomike. Regjistrimi i fundit është bërë tridhjetë vjet më parë. Tërë procesi, i cili tash për tash kundërshtohet nga serbët, pritet të kushtojë 11 milionë euro. Nga Nexhmije Ahmeti më 14 janar 2011 në ora 09:40

Para tridhjetë vjetësh ata ishin një familje dhe jetonin vetëm në një shtëpi. Por, tash, tridhjetë vjet më vonë, ata janë bërë shumë. Kjo është familja e Ismajl Musliut, të cilit i kujtohet viti 1981, kur në atë kohë Kosova ishte pjesë e ish Federatës Jugosllave. Ky ishte viti i fundit kur është mbajtur regjistrimi i popullsisë. Kështu, loza e familjes së këtij shtatëdhjetëvjeçari, por edhe shumë të tjerave në Kosovë që nga ai vit, është rritur shumë. Nga një shtëpi që ishte tash janë bërë katërmbëdhjetë. Në këtë rast, Ismajli llogarit vetëm meshkujt, por jo edhe vajzat e tij të martuara që jetojnë në shtëpi të tyre.

“Kur u mbajt regjistrimi i fundit, kemi qenë bashkë me vëllanë në një shtëpi me 13 anëtarë. Nga ajo shtëpi, pas tridhjetë vjetësh, janë ba 14 shtëpi e për anëtarë, mos më pyet se ka shumë”, thotë Ismajli për Express. Djemtë e tij dhe të vëllait janë martuar dhe kanë krijuar familje. Ata jetojnë tash në shtëpi të tyre. “Tash jena ba shumë. Unë s’po e maj në mend sa jemi ba veç me nipa e mbesa goxha shumë jena shtu”, thotë Ismajli për Express. Por, nuk është vetëm ky plak, të cilit i duhet kohë të numërojë të gjithë anëtarët e familjes së tij, shumë prej të cilëve jetojnë edhe jashtë Kosovës. As Kosova si shtet nuk e di saktë sa banorë ka.

Megjithëkëtë, duket se kjo do të qartësohet përfundimisht këtë vit.

Në ditën e gënjeshtrës nis zbulimi i së vërtetës

Pikërisht nga 1 deri 15 më prill do të bëhet regjistrimi i popullsisë, i shtëpive dhe i ekonomisë familjare.

Regjistrimi që do të nisë në ditën e gënjeshtrave, pritet të tregojë të vërtetën e numrit të banorëve të këtij vendi. Ky proces me rëndësi për Kosovën duket se, pavarësisht krizës institucionale, është duke vazhduar mirë.

Meqë Enti Evropian i Statistikës e kërkon këtë, atëherë kjo punë edhe duhet të bëhet. Për më tepër, regjistrimi pritet të ndodhë në të njëjtën kohë me shtetet e tjera të Ballkanit. Tashmë formularët për regjistrimin e popullsisë janë miratuar nga Komisioni Qendror për Regjistrimin e Popullsisë. Kryetari i këtij komisioni, Rifat Blaku, thotë se konform ligjit dhe rekomandimeve të BE-së është miratuar dizajnimi dhe përdorimi i formularit, që do të përdoret gjatë regjistrimit të popullsisë. Edhe pse është miratuar, Blaku nuk dëshiron të tregojë përmbajtjen e tij.

Megjithatë, Express e ka parë një faqe të formularit individual, pyetjet e të cilit përmbajnë të dhënat personale siç janë deklarimi për përkatësinë kombëtare, fetare dhe kulturore. Megjithatë, personi i regjistruar mund edhe të mos deklarohet se cilit grup etnik i takon. “Prej dyzet e një pyetjeve në pyetësorin individual, pyetja me numër nëntë është se cilit grup etnik apo kulturor i takoni dhe sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës, personi i regjistruar mund të zgjedhë, por edhe mos të deklarohet”, sqaron Blaku.

Formularët do të shtypen në katër gjuhë; shqipe, serbe, turke dhe angleze.
Rifat Blaku konsideron se me këtë hap, Kosova po shënon edhe një progres tjetër.
“Po shënohet edhe një progres, sepse po hyn në kuadër të shteteve të cilat prodhojnë statistika të besueshme, të qëndrueshme, të matshme dhe krahasueshme”, thotë Blaku, sipas të cilit regjistrimi është një nga shtyllat tepër të rëndësishme për funksionimin e shtetit. “Me këtë bëhet hapi tepër i rëndësishëm për të prodhuar edhe statistika zyrtare oficiele si shtet, të cilat që nga OKB-ja dhe të gjitha organizatat ndërkombëtare do të jenë valide”,thotë ai.

Blaku tregon se të gjithë kryetarët e komunave të Kosovës, nga 14 janari(e premte) janë të obliguar t’i formojnë komisionet komunale për regjistrim, që do të përbëhen nga nëntë anëtarë dhe kjo, sipas tij, është njëra ndër politikat që do të mundësojë regjistrimin edhe të serbëve në Kosovë. Rifat Blaku thotë se ky projekt nuk është politik dhe nuk duhet të politizohet, andaj edhe është i bindur se regjistrimi i popullsisë do të bëhet edhe në ato komuna ku popullata shumicë është serbe.“Projekti nuk është politik dhe nuk duhet të politizohet. Ne nuk jemi ata që do të predikojmë paraprakisht se kush dhe si do të pozicionohet, aq më pak për serbët ose qëndrimet e një shteti tjetër”, thotë Blaku, duke i komentuar deklaratat e zyrtarëve të Qeverisë në Beograd.

Regjistrimin e popullsisë në Kosovë e kundërshtojnë zyrtarët e Qeverisë së Serbisë, të cilët konsiderojnë se ky proces tani mund të jetë i rrezikshëm. Oliver Ivanoviq, sekretar shtetëror i së ashtuquajturës Ministri për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, ka thënë se Kosova nuk ka kushte ta bëjë regjistrimin e popullsisë në kohën kur shumë serbë vazhdojnë të jenë të zhvendosur nga pronat e tyre.

Rreth dy milionë banorë

Institucionet e Kosovës nuk kanë shifra të sakta që flasin për numrin e të zhvendosurve serbë, ndërsa Beogradi pretendon se numri i të shpërngulurve serbë nga Kosova është rreth 250 mijë persona, të dhëna këto që hidhen poshtë nga zyrtarët vendorë e ndërkombëtarë në Prishtinë. Vlerësimet e fundit të Entit të Statistikave janë për një popullsi prej mbi 2.2 milionë banorësh, prej të cilëve 92 për qind janë shqiptarë, mbi 5 për qind serbë, ndërsa grupet tjera etnike përbëjnë më pak se 3 për qind të popullsisë.

Regjistrimi
Me regjistrimin e fundit të vitit 1991 të bërë vetëm nga Beogradi, pa pjesëmarrjen e shqiptarëve dhe ku në Kosovë kishte edhe refugjatë serbë nga Bosnja dhe Hercegovina, kanë dalë 119 mijë serbë. Qytetarët të cilët jetojnë jashtë kufijve të Kosovës për më shumë se një vit, do të kenë mundësi të regjistrohen si banorë jorezidentë.
Kosova është i vetmi vend në Evropë ku nuk ka pasur një regjistrim të popullsisë që 30 vjet, kështu që askush nuk e di me saktësi se sa banorë ka ajo.

Shtim i shqiptarëve

Nataliteti i lartë te popullata shqiptare ka bërë që fotoja demografike e Kosovës të ndryshojë në mënyrë të vazhdueshme në Kosovë. Sipas të dhënave zyrtare serbe, në vitin 1929 serbët përbënin shumicën e popullatës në Kosovës(61 përqind), ndërsa 31 për qind ishin shqiptarë dhe minoritete tjera. Por, vitet në vijim ndryshuan në tërësi përbërjen e popullatës në Kosovë. Sipas regjistrimit të fundit në vitin 1981, vendi ka pasur 1.2 milionë banorë ose 77,48 për qind të popullsisë, ndërsa pjesa tjetër ishin serbë dhe pakica të tjera.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›