Feith: Qeveria duhet të ketë fytyra të reja
Pieter Feith po pret që qeveria e re të jetë vërtet e re. Mbikëqyrësi i pavarësisë është kthyer nga pushimet dimërore, dhe ka shumë mesazhe për zhvillimet në Kosovë, dhe “për renë e zezë që ka rënë mbi imazhin e Kosovës”.
Në një intervistë për “Kohën Ditore”, shefi i ICO-së ka thënë se pret që qeveria e ardhme të ketë ministra kredibilë, dhe që pjesë e saj të moj jenë zyrtarët që janë nën hetime. Shefi i ICO-së nuk ka ngurruar të paralajmërojë se një veprim i kundërt mund t`i kushtojë Kosovës me humbje të kredibilitetit dhe të reputacionit në Bruksel e Uashington.
“Ajo që më inkurajon tej mase është se ka një vetëdijesim të përgjithshëm, se kjo situatë përveçse është serioze, krijon edhe një mundësi që të ketë një fillim të ri. Dhe mendoj se ka vullnet që kjo të bëhet. Unë do të jem shumë i interesuar. Do të jem i interesuar, sepse mendoj se ky moment ka rëndësi për Kosovën”, ka thënë shefi i ICO-së.
Ai e di se zgjedhjet e kaluara kanë qenë me mashtrime dhe se të zgjedhurit do të kenë problem legjitimiteti, por ka thënë se nuk sheh zgjidhje në përsëritjen e vazhdueshme të zgjedhjeve. Feith ka bërë thirrje për ndryshim mentaliteti, ndërkaq ka kërkuar që legjitimitetin qeverisja e ardhshme ta fitojë pikërisht duke emëruar njerëz kredibilë në udhëheqje të punëve.
Shefi i ICO-së është i shqetësuar me qëndrimet e politikës kosovare për raportin e Dick Martyt.
Sipas tij, tendenca për të gjeneralizuar përgjegjësinë dhe për ta paraqitur raportin si vepër kundër një kombi është shqetësuese. Sipas Feith, është edhe më shqetësues paralajmërimi se bashkëpunëtorët e Martyt apo ata që kanë folur me të do të zbulohen. Feith shpjegon se përgjegjësia është individuale dhe nëse ka ndonjë vepër kriminale, për to do të përgjigjen individët dhe jo shoqëria si tërësi.
Mbikëqyrësi i pavarësisë e ka shpjeguar situatën në Kosovë si tejet komplekse, me shumë probleme që ndërlidhen më njëra-tjetrën.
Për zgjedhjet ai theksoi se ka vërejtur një numër të parregullsive që kanë ndodhur edhe me nëntë janar. Mendoj se e keni parë qëndrimin e zonjushës Lunacek dhe mendoj se ai duhet të merret seriozisht. Në anën tjetër, mendoj që do të ishte pozitive që fillimisht institucionet funksionuan mirë, që KQZ-ja ka marrë masat korrektuese ndaj parregullsive që kanë ndodhur në dhjetor, kanë vendosur rivotim, dhe kanë vendosur për rivotim edhe në Mitrovicë. Kjo tregon se një institucion si KQZ-ja po funksionon në mënyrë transparente dhe të pavarur. Por mendoj se së shpejti duhet ta presim fundin e procesit elektoral, dhe të angazhohemi në konsultimet për qeverinë e re.
Mendoj se zgjedhjet e dhjetorit dhe ato të janarit nuk kanë dhënë një imazh pozitiv për Kosovën, andaj mendoj se kjo është diçka me të cilën duhet të ballafaqohemi. Ka edhe gjëra të tjera që ndikojnë në imazhin dhe reputacionin ndërkombëtar të Kosovës për çka do të flasim më vonë. Dhe ky është një shqetësim i madh për mua. Tash a do të dërgojnë këto zgjedhje në institucione kredibile? Unë mendoj se munden, ka një problem të legjitimitetet që unë e shoh, që nënkupton se duhet të kemi një qeveri e cila është kredibile, sepse nëse parlamentarët janë zgjedhur në një mënyrë mashtruese, atëherë ata nuk kanë në realitet legjitimitet, dhe kjo vlen edhe për ministrat që do të jenë në qeveri. Do ta shohim se si KQZ-ja do të ballafaqohet me këtë çështje, si do të zgjidhen ankesat dhe nëse do të kemi certifikim të rezultateve. Por ajo që është e qartë, në bazë të perceptimeve, pra perceptimi ndërkombëtar dhe vendës ka mundur të jetë më i mirë.
Kosova, tha Feith, është në një situatë serioze për shkak të një numri të madh të zhvillimeve që kanë ndikuar në kredibilitetin e saj ndërkombëtar. Pra jemi në një situatë serioze dhe ky është një lajm i keq. Lajmi i mirë është se ka një mirëkuptim më të madh dhe ka një kuptim më të gjerë se ka probleme serioze, ka një mirëkuptim tek politikanët, tek ata që marrin vendimet se duhet bërë diçka.
Sipas tij, për të dalë nga situata, duhet ndryshuar ligjet. Mund t`i përmirësojmë ligjet. Por nëse ligjet nuk zbatohen, atëherë vetëm përmirësimi i institucioneve do të na ndihmonte. Ne mund të ndryshojmë personalitetet, mund t`i ndryshojmë fytyrat. Kjo do të ndihmonte, nëse njerëzit e rinj kanë kapacitete. Këtu ka një çështje edhe më të thellë dhe më të rëndësishme e që është mentaliteti. Duhet ndryshuar mentaliteti në Kosovë. Kosova po kalon nëpër një fazë transicioni si shoqëri, dhe shoqëria është kjo që është deri tash. Është shumë e mbyllur, është një komunitet i vogël, thënë sinqerisht. Nuk është sikur shoqëritë e mëdha në Evropën Perëndimore. Është edhe më e vogël se Holanda. Holanda është një shoqëri e vogël gjithashtu. Por ajo që duhet të përpiqemi ta bëjmë në të ardhmen, dhe kjo mund të marrë kohë, është një shoqëri më e hapur, një shoqëri ku përgjegjësia individuale ka vlerë, ku nuk ekziston rreziku që përgjegjësia kolektive bëhet më e rëndësishme se të gjitha çështjet e tjera, sepse nuk ka përgjegjësi kolektive. Ka vetëm përgjegjësi individuale. Na duhet një shoqëri ku ka liri të shtypit, ku Halil Matoshi, si gazetar, mund ta bëjë punën e tij profesionale pa u kërcënuar kur e thotë të vërtetën.