Rrënime edhe në Vushtrri
Inspektorati komunal i Vushtrrisë ka rrënuar një aneks të objektit hotelier “Pikolo Mondo” në qendër të qytetit të Vushtrrisë, për shkak se pronari i këtij objekti nuk kishte leje.
Bajram Beqiri, drejtor komunal i inspektoratit, ka thënë se janë ndjekur të gjitha procedurat dhe se pronarit të biznesit i është dhënë vendimi që ta largojë aneksin, por ai nuk ka vepruar, dhe se ata janë detyruar që ta bëjnë ekzekutimin e dhunshëm të këtij vendimi.
“Drejtoria e Inspektoratit është e vendosur të vazhdojë me rrënimin e objekteve pa leje në Vushtrri”, ka paralajmëruar Beqiri, me rastin e rrënimit të një aneksi të lokalit Pikolo Mondo në qendër të Vushtrrisë.
Për rrënimin e këtij objekti, është angazhuar edhe kompania e kontraktuar nga Komuna e Vushtrrisë për rrënimin e objekteve pa leje NN “Vëllezërit Krasniqi” nga Drenasi.
Në ekzekutimin e këtij vendimi inspektorët komunal janë mbështetur edhe nga Policia e Kosovës.