Luks në varfëri
Me gjithë varfërinë në rritje, kosovarët dinë të bëjnë jetë luksi. Pas ushqimit, alkooli dhe duhani konsumohen me të madhe. Për këto dy kategori shpenzohen 231 euro në vit dhe 300 euro tjera veshmbathje prej 6.847 eurove, sa i ka mesatarisht në dispozicion një familje kosovare brenda vitit.
Por, si për çudi, pak më konservativë sa i përket shpenzimeve, kosovarët tregohen në arsim dhe shëndetësi.
Në bazë të kësaj, të dhënat e Entit të Statistikave të Kosovës mbi buxhetin e ekonomive familjare për vitin 2009 nxjerrin ushqimin, banimin, transportin, veshmbathjet si dhe alkoolin e duhanin si kategoritë më të konsumueshme.
Prej 6.847 euro, sa është mesatarisht konsumi për një familje në Kosovë, pjesa më e madhe e këtij buxheti shpenzohet për ushqim dhe pije joalkoolike, duke arritur në 2.442 euro për këtë kategori. Megjithatë, krahasuar me vitin 2008, ushqimi dhe pijet joalkoolike paraqesin rënie prej 5 për qind.
“Kjo pjesëmarrje më e vogël e buxhetit të shpenzuar për këto kategori tregon një mirëqenie më të lartë”, thuhet në anketën mbi ekonomitë familjare.
Një pjesë bukur e mirë e parave shkon edhe për banim. Në fakt, kjo kategori radhitet e dyta si më e “shtrenjta”. Kështu sepse për të shpenzohen 2.432 euro brenda vitit, apo 36 për qind e buxhetit të një familjeje kosovare. “Pjesa më e madhe e banimit është “qiraja e vlerësuar”. Një pjesë e vogël e ekonomive familjare paguajnë qira”, thuhet në anketë.
Këto kategori nuk janë të vetmet që pëlqehen nga kosovarët. Një si këto, që mund të konsiderohet edhe “luks”, është veshmbathja. Për këtë kategori, një familje kosovare nga buxheti i saj i varfër i ndan hiq më pak se 300 euro për një vit.
Krahasuar me vitin 2008, është 15 për qind më shumë.
Rritje sa i përket konsumit vërehet edhe të alkooli dhe duhani. Brenda vitit, për këto dy produkte, shpenzohen 231 euro. “Rritja në vitin 2009 e përdorimit të alkoolit dhe duhanit ka qenë 13 për qind”, thuhet në anketë. Sipas statistikave, del se duhani dhe alkooli më shumë konsumohet në qytete me 18 për qind e më pak në zonat rurale, apo 9 për qind.
Kur shpenzohet në duhan e alkool, pse mos të shpenzohet edhe për rekreacion. Niveli i shpenzimeve për rekreacion ka qenë dukshëm më i lartë në vitin 2009 në krahasim me dy vitet paraprake. Posaçërisht në qytete, mbase nga të ardhurat me të mëdha, janë të dhënë pas rekreacionit.
“Në vendbanime urbane dukshëm kanë shpenzuar më shumë për rekreacion në krahasim me vitin 2008 dhe ato për 91 për qind”.
Megjithatë, kur është çështja te arsimi e shëndetësia, kosovarët janë treguar fort të kujdesshëm. Shpenzimet në arsim, sipas ESK-së, kanë qenë më të ulëta në vitin 2009 në krahasim me atë 2008. “Sidomos në vendbanime rurale vërehet rënie prej 42 për qind”, tregojnë statistikat. Ndërkaq, shpenzimet në shëndetësi, ndonëse mbesin të ulëta, ka një trend rritës prej vitit në vit. Shembull, në vitin 2009, krahasuar më 2008, ka pas një rritje prej 16 për qind.
Si përfundim, kjo anketë tregon se familjet kosovare gjithnjë e më shumë po shpenzojnë në banim, veshmbathje dhe transport. Madje, familjet urbane dhe me arsim të lartë thuhet se gjithnjë e më shumë po e rrisin pjesën e buxhetit edhe për rekreacion, hotele dhe restorante.
ESK: Varfëria në Kosovë
Rreth 45 për qind e popullsisë në Kosovë është e varfër, më një pjesë tjetër prej 18 për qind të rrezikuar nga varfëria. Mbizotërimi i niveleve të varfërisë në pjesën e parë të kësaj dekade nuk është për t’u çuditur, duke marrë parasysh kontekstin e kushteve ekzistuese makroekonomike që karakterizohen me zhvillim të ngadalshëm, me të hyra të ulëta dhe me kufizime të shumta të shpenzimeve. Pa sigurinë që e ofrojnë emigrantët dhe paratë nga diaspora, mirëqenia e një pjese të madhe të popullsisë do të ishte shumë më e rëndë. Megjithatë, është gjë pozitive fakti se varfëria është e ‘butë‘ sepse shumë njerëz janë ose pak mbi kufirin e varfërisë apo pak nën të. Niveli i varfërisë së ‘butë’ nënkupton se një ndryshim i vogël pozitiv në të hyra, përmes zhvillimit që krijon vende të punës, mund të nxjerrë shumë persona nga varfëria.