Ministri sllovak: “Dokumentet e reja i përmbushin standardet - faktor i fortë që BE të marrë vendimin për heqjen e vizave”

Ministrat Basha dhe Lajçak inspektuan dje Qendrën e Personalizimit të Kartave të Identitetit dhe Pasaportave Biometrike. Pas inspektimit, Lajçak u shpreh i impresionuar dhe premtoi se atë që pa aty do t’ua përcjellë partnerëve dhe kolegëve të vendeve anëtare të BEMinistri i Jashtëm i Sllovakisë, Miroslav Lajçak, vlerëson procesin e pajisjes së qytetarëve shqiptarë me pasaportat e reja biometrike si një argument shumë të fortë në marrjen e vendimit të Bashkimit Evropian për liberalizimin e vizave. Ministri sllovak, gjatë inspektimit të Qendrës së Personalizimit të Kartave të Identitetit dhe Pasaportave Biometrike, u shpreh se dokumentet e reja plotësojnë standardet e BE dhe janë një faktor shumë i fortë që Komisioni Evropian të japë një opinion të detajuar dhe pozitiv, për të bërë më tej marrjen e vendimit për hyrjen e Shqipërisë në zonën “Schengen”. “Duke gjykuar nga ajo që pashë në këtë qendër mund të them se procesi është konform standardeve më të larta ndërkombëtare dhe është përfundimisht një argument pozitiv shumë i fortë për marrjen e vendimit të BE për udhëtimin e lirë pa viza për qytetarët shqiptarë. Atë që kam parë këtu do të kem kënaqësinë t’a paraqes tek partnerët dhe kolegët e mi të vendeve antëtare të BE” - deklaroi ministri i Jashtëm i Sllovakisë Miroslav Lajçak.Nga ana e tij, ministri i Brendshëm Lulzim Basha u shpreh se procesi i aplikimit nga qytetarët shqiptarë për pasaporta biometrike është plotësisht në udhë të mbarë. “Sot ne kemi arritur qartësisht dhe bindshëm ritmet më të larta në gjithë kontinentin europian përsa i përket aplikimeve për frymë për pasaporta biometrike”, tha Basha.Interesimit të medias mbi tejkalimin e afatit dyjavor të pajisjes me pasaportë biometrike gjatë periudhës së fundvitit 2009 dhe fillim vitit 2010, ministri Basha iu përgjigj se kjo është rrjedhojë e një fluksi të jashtëzakonshëm aplikimesh brenda një kohe të shkurtër, kur ka patur ditë që kanë shënuar edhe 11 400 aplikime për pasaporta biometrike. “Megjithatë ne kemi marrë të gjitha masat në bashkëpunim me konçesionarin “Aleat” për të përshpejtuar dhe për të rritur kapacitetet prodhuese në mënyrë që koha e pritjes edhe për këtë periudhë të pikut të aplikimeve të jetë sa më e shkurtër”, u shpreh ministri Basha.Që nga fillimi i procesit e deri më tani kanë aplikuar për pasaportë biometrike afro 450 mijë qytetarë shqiptarë.Sllovakia hap Ambasadën në Tiranë, Lajçak- Meta: Do shërbejë si urë lidhëse midis dy vendeve/Republika e Sllovakisë, nga dje, ka përfaqësinë e saj diplomatike në Tiranë, duke shënuar kështu një moment kulmor në marrëdhëniet bilaterale mes dy vendeve. Në ceremoninë e inaugurimit morën pjesë dy ministrat Ilir Meta dhe Miroslav Lajçak, të shoqëruar nga Ambasadori sllovak në Tiranë, Ivam Shveda dhe Ambasadori shqiptar në Pragë, Qazim Tepshi. Ministri i Jashtëm sllovak, Miroslav Lajçak, u shpreh se “kjo është me të vërtetë në ditë historike për Sllovakinë dhe për Shqipërinë”. “Ne sot po rrisim prezencën tonë diplomatike duke hapur zyrtarisht Ambasadën tonë në vendin tuaj. Ne jemi dy vende mike me një të kaluar të ngjashme dhe një të ardhme të ngjashme. Jeta na ka provuar nevojshmërinë për të patur përfaqësim të drejtpërdrejtë diplomatik sepse kemi kaq shumë gjëra të përbashkëta. Pres që Ambasada jonë do të shërbejë si në urë lidhëse midis dy vendeve dhe popujve tanë. Pres që shqiptarët të mësojnë më tepër mbi vendin tim dhe sukseset që kemi arritur si dhe qytetarët tanë do të dinë më tepër rreth potencialeve të mëdha që ju ofroni, sidomos në turizëm”, u shpreh ai. Lajçak falënderoi zv/kryeministrin dhe ministrin e Punëve të Jashtme, Ilir Meta si dhe Qeverinë shqiptare që krijuan kushtet e nevojshme për hapjen e kësaj Ambasade në Tiranë. Edhe ministri i Jashtëm, Ilir Meta, u shpreh se është një hap historik në marrëdhëniet e reja midis Sllovakisë dhe Shqipërisë. “Brenda vitit, edhe ne do të hapim Ambasadën tonë në Bratislavë. Viti 2010 do të jetë viti i hapjes së shumë ambasadave të vendeve të tjera në Tiranë. Kështu që e kemi filluar me Ambasadën e Sllovakisë, për të vazhduar edhe me shumë të tjera. Dhe mendoj që forcimi dhe ngritja e këtyre marrëdhënieve nuk është koincidencë. Kjo ka të bëjë jo vetëm me raportet tradicionale midis dy popujve tanë, por edhe me të ardhmen e përbashkët, jo vetëm në NATO, por edhe në Bashkimin Evropian, ku Sllovakia mezi e pret edhe Shqipërinë”, u shpreh ministri Meta, duke vënë në dukje se “hapja e kësaj Ambasade këtu tregon edhe vëmendjen gjithnjë më të madhe që Sllovakia i kushton Ballkanit Perëndimor, dhe vlerësimin që ka për rolin e Shqipërisë në rajon, rol që ne do t’a shtojmë akoma më tej sepse këtë e kërkon anëtarësimi i gjithë Ballkanit Perëndimor në BE”. Edhe Kryeministri Berisha e priti shefin e diplomacisë sllovake/Kryeministri Sali Berisha priti dje në një takim Ministrin e Jashtëm të Sllovakisë, Miroslav Lajcak. Në takim u diskutua gjërësisht mbi situatën politike në vend, duke u ndalur fillimisht te bojkoti i opozitës. Kryeministri Berisha i bëri me dije ministrit Lajçak gatishmërinë e mazhorancës për ngritjen e komisionit parlamentar për shqyrtimin e shqetësimeve të ngritura nga opozita, me përjashtim të çështjeve të vendosura tashmë me vendim të formës së prerë nga gjykata. Në këtë kuadër, ministri sllovak u shpreh se qëndrimi i kryeministrit Berisha dhe qeverisë shqiptare në respektim dhe mbështetje të institucioneve demokratike dhe të shtetit ligjor është një qëndrim i drejtë që gëzon një përkrahje të gjerë. “Askush nuk e përkrah bojkotin. Në asnjë rast, politika nuk mund të ndërhyjë për të vlerësuar vendimet e gjykatave. Konkluzionet e Institucioneve ndërkombëtare të specializuara për zgjedhjet si ato të OSBE/ODIHR, duhen respektuar plotësisht”, u shpreh ministri i Jashtëm, Miroslav Lajçak. Pasi i uroi mirëseardhjen, Berisha e vlerësoi vizitën e ministrit të Jashtëm të Sllovakisë Lajçak si një ngjarje shumë të rëndësishme në marrëdhëniet mes dy vendeve, e cila do të sjellë një kontribut në forcimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat.Ministri i jashtëm i Sllovakisë, Lajçak, e falënderoi përzemërsisht kryeministrin Berisha për pritjen e ngrohtë dhe i transmetoi kryeministrit përshëndetjet më të përzemërta të Kryeministrit të Sllovakisë, z. Robert Fico, duke i shprehur njëkohësisht angazhimin dhe vendosmërinë e Sllovakisë dhe të qeverisë sllovake për të zgjeruar dhe intensifikuar bashkëpunimin mes dy vendeve, në të gjitha fushat.Në takim, marrëdhëniet politike mes dy vendeve u vlerësuan si shumë të mira. Ministri i Jashtëm sllovak Lajcak i shprehu Kryeministrit Berisha vlerësimin e lartë për arritjet e jashtëzakonshme të qeverisë së tij gjatë mandatit të kaluar, si anëtarësimi i Shqipërisë në NATO, nënshkrimi i marrëveshjes së Stabilizim -Asociimit në BE, aplikimi për statusin e kandidatit dhe marrja e pyetësorit të Komisioni Europian, si dhe ecurinë shumë të mirë me procesin e liberalizimit të vizave, por edhe reformat dhe arritjet e jashtëzakonshme në luftën kundër krimit, korrupsionit, në fushën ekonomike e fiskale, krijimin e klimës së favorshme për biznesin, etj. “Në Europë jemi shumë të impresionuar me rezultatet e arritura nga qeveria juaj”, iu shpreh ministri Lajçak kryeministrit Berisha.Më tej, ministri i Jashtëm sllovak Lajçak e siguroi kryeministrin Berisha për dëshirën e vendit të tij për të zgjeruar marrëdhëniet e bashkëpunimit, në veçanti në fusha si energjetika, turizmi, infrastruktura, si dhe nxitjen e investitorëve sllovakë për histori suksesi me investime biznesi në Shqipëri. ...