E Diel, 1 Nëntor 2026

Patozi: Opozita po përpiqet të përfitojë nga “Çështja Pango”

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Astrit Patozi i bëri thirrje opozitës që "të mos përpiqet të përfitojë politikisht nga ngjarja e abuzimit me detyrën e ish ministrit Pango, pasi reagimi i menjëhershëm ndaj kësaj ngjarje është pikërisht standardi që ka vendosur kjo qeveri". Gjatë debatit të lirë në seancë plenare, zoti Patozi reagoi pas ngjarjes së transmetuar dje në mbrëmje në një emision televiziv, ku deputeti Ylli Pango, ish-ministër i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, shfaqej duke abuzuar në detyrë. Menjëherë pas emisionit televiziv, Kreu i Qeverisë shqiptare urdhëroi shkarkimin e zotit Pango. Duke i'u drejtuar përfaqësuesve të opozitës, zoti Patozi u shpreh se "është e papranueshme që opozita po përpiqet të përfitojë politikisht, ose të ndërtojë kredencialet e rrënuara politike, mbi një histori i cila është mbyllur vetëm 5 minuta, pas shfaqjes së saj në Televizionin Top Channel. Mbyllja e kësaj historie është edhe standardi që ne kemi vendosur dhe do të vazhdojmë ta mbajmë, standard që ju nuk e keni pasur kurrë. Një maxhorancë, një parti politike, një qeveri, një kryeministër nuk mund të gjykohet dhe vlerësohet kurrësesi në raport me atë që dikush prej nesh, apo secili prej nesh mund të kryejë gjatë ushtrimit të detyrës", tha zoti Patozi. Sipas, tij "standardi përcaktohet nga mënyra se si reflektohet dhe reagohet, dhe reflektimi i menjëhershëm i Kryeministrit Berisha mbrëmë tregoi standardin e kësaj maxhorance". Këtë standard opozita nuk e ka pasur kurrë, tha Kreu i grupit parlamentar të PD-së, duke shtuar se "kjo është opozita që vazhdon të bashkëudhëtojë me skandalin. Të gjitha skandalet që keni pasur gjatë kohës që keni qeverisur Shqipërinë kanë qenë edhe më të rënda. Ka pasur raste të ngjashme dhe ju keni kryetarin tuaj i cili të paktën prej 3-4 vjetësh qarkullon i zhveshur lakuriq para shqiptarëve. Askush prej jush nuk ka guxuar të thotë një fjalë për të. Ju keni histori më të rënda të perversitetit të kryetarit tuaj në Lidhjen e Pezës, apo jashtë saj dhe ju heshtni, sepse jeni mësuar të bashkëudhëtoni me skandalin", i'u drejtua zoti Patozi deputetëve të opozitës. Duke sjellë në vëmendje standardet e vendosura nga kjo qeveri, zoti Patozi u shpreh se "edhe për raste që kanë qenë krejtësisht të pavërteta dhe të pabazuara, ministra të kësaj qeverie kanë dhënë dorëheqjen". "Keni shembullin e politikanit të ndërgjegjshëm, Ilir Rusmajli i cili dha dorëheqjen për diçka që u vërtetua se ishte e pavërtetë. Ne kemi dorëzuar imunitetin e ministrave tanë, duke qenë të bindur se asnjë nga akuzat që ju keni bërë në këtë parlament nuk ka qenë e vërtetë", tha zoti Patozi. Sipas tij "kjo opozitë mban mbi vete një mal skandalesh, dhe përpjekjet e saj për të përfituar politikisht nga kjo ngjarje janë të pashpresa. Ky është një aksident personal dhe përgjegjësia është individuale. Përgjegjësia e maxhorancës, e qeverisë dhe kryeministrit është relektimi. Ky është standardi jonë, ju keni standardet tuaja", tha në përfundim zoti Patozi.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›