“Pango” niset për në duart e drejtësisë
Një tjetër ministër i qeverisë Berisha mund të përballet me drejtësinë.
Prokuroria e Përgjithshme ka nisur veprimet ndaj këtij skandali, duke marrë fillimisht kasetat e regjistrimit nga drejtuesit e emisionit “Fiks Fare”, për të vërtetuar fillimisht autenticitetin e tyre.
Më pas prokuroria do të vendosë për hetimin e mëtejshëm për të vërtetuar nëse Pango ka kryer një vepër penale që mund ta çojë atë në qeli. Sipas Kodit tonë Penal, neni 105 “Kryerja e marrëdhënieve seksuale ose homoseksuale duke shpërdoruar marrëdhëniet e varësisë ose të detyrës dënohet me burgim deri në tre vjet”.
Politika
Dje, politika, edhe pse ka folur, nuk ka thënë pothuajse asnjë gjë. Askush nuk është shprehur qartë se çfarë do të ndodhë me imunitetin e Pangos dhe hetimin e tij. Kryetarja e Kuvendit tha se duhet të lërë mandatin dhe se i trembej faktit se edhe fëmijët e saj mund të bien pre e kësaj dhune dhe abuzimi, por nuk ka saktësuar nëse do hiqet imuniteti i tij.
Të tjerë përfaqësues të mazhorancës janë munduar dhe ta justifikojnë Pangon duke thënë që edhe opozita është e mbushur nga skandale të tilla.
E kanë pranuar se politika ka në gjirin e saj të tilla skandale, por kjo mazhorancë që është votuar për të zbatuar ligjet e për të drejtuar me moral shoqërinë nuk ka treguar se ç’duhet të ndodhë me këto skandale të shumta.
Kryeministri dje nuk është shprehur në lidhje me çështjen, por ka dërguar në Presidencë shkarkimin e tij që është pranuar nga presidenti, Bamir Topi.
Menjëherë është miratuar dhe emri i ri që do të zërë vendin e tij si ministër i Kulturës.
Bëhet fjalë për Ardian Turkun, që momentalisht kryen detyrën e kryetarit të qarkut në Elbasan. Ai ka qenë dhe kryetar bashkie në këtë qytet, i përzgjedhur si një kandidat i ardhur nga republikanët.
Edhe Turku si për ironi të fatit është një njeri që ka bërë kapërcimin nga shkencat ekzakte te psikologjia, në të njëjtën rrugë si Ylli Pango.
Kryeministri ka zgjatur duart drejt një emri që nuk vjen nga grupi parlamentar apo nga ndonjë grupim i fortë i ravijëzuar në partinë e tij. Kështu ai është munduar të shmangë provokimet që mund të vijnë nga këto grupe në këtë situatë parazgjedhore.
Pango
Gjatë gjithë kohës, një makinë me targa Z ka qëndruar përpara vilës ku banon ish-ministri i Kulturës, Ylli Pango. Ai nuk ka lëvizur fare nga shtëpia e tij, ndërsa mediet janë munduar ta monitorojnë për t’i shkëputur ndonjë qëndrim atij.
Një mbledhje e qeverisë e parashikuar për ditën e djeshme është shtyrë.
Para Ministrisë së Kulturës një grup të rinjsh të Lëvizjes Rinore për Integrim kanë protestuar me parulla ironike.
Ndërsa në brendësi ka vijuar dita e punës normalisht. Burime thonë se shumë punonjës të këtij dikasteri kanë shprehur dhe kënaqësi për largimin e drejtuesit të tyre.
Gazetarët kanë pritur gjatë gjithë ditës për një komunikim të mundshëm të Pangos përmes zëdhënëses së tij, e cila ka premtuar se do lëshojë një deklaratë. Por asgjë nuk ka ndodhur.
Auditori
Dyert e Pangos janë mbyllur dhe për auditorin, ku ka punuar prej shumë e shumë vitesh. Edhe pse asgjë nuk është zyrtarizuar, tashmë nuk ka dyshim se ai nuk do mund të jetë më një pedagog, detyrë që e mbante dhe gjatë kohës kur ishte ministër.
“Askush nuk mund të lejojë fëmijën e vet që të marrë mësime nga ai”, - thonë drejtuesit e lartë të rektoratit, ndërsa kryetari i Konferencës së Rektorëve, Jorgaq Kacani, është i prerë, kur flet për largimin e tij.
Në mënyrë informale, shpesh Pango ishte nën akuzë për sjelljen e tij përkundrejt studentëve. Këtë fakt e ka provuar dhe sasia e shumtë e mesazheve në emisionin “Faktori Plus” në “Vizion Plus”, ku studente dhe ish-studente të tij denonconin hapur profesorin Pango për abuzime seksuale.
Kjo është dhe një arsye më shumë për ta bërë hetimin e prokurorisë sa më të zgjeruar dhe për faktin se kaseta me përgjimin ndoshta nuk mund të cilësohet si provë.
Por pozitat e Pangos janë shumë të dobëta. Përgjimi që i është bërë atij është i një gazetareje, por ka qenë një tjetër femër që realisht ka kërkuar punë në këtë institucion e që do ishte pre e abuzimeve seksuale të Ministrit Pango.
Jehona
Dita e djeshme ka qenë e gjitha e mbushur me informacione për këtë ngjarje të rëndë.
Shumë media të huaja kanë raportuar për ngjarjen në fjalë. Raportet e shpërndara nga “Associated Press” dhe të tjera agjenci të rëndësishme kanë bërë xhiron e botës. Për disa prej tyre ky informacion është përcjellë si një kronikë rozë.
Ndërsa mediet qeveritare shqiptare kanë tentuar ta paraqesin si një ngjarje që ndodh rëndom në botë, i ka ndodhur liderëve me peshë. Një mënyrë e tillë për të shfajësuar mazhorancën nga pesha e këtij skandali është e frikshme për shoqërinë shqiptare që duket se e vuan shumë peshën e këtij krimi zyrtar. Një numër mesazhesh që “TemA” boton sot faktojnë dëshirën e shqiptarëve për të parë dënime, drejtësi dhe rikthim të moralit në politikë.
Për këtë arsye, Pango nuk është rast i veçuar, ai është fenomen.
CV e Ylli Pangos, viktimë politike e qeverisjes aktuale*
- Në mars 2003 goditet pabesisht me një bombë në garazhin e shtëpisë, nga e cila merr plagë të rënda. Operohet në bark, dhe ka rreth 40 copë predha ende në të dyja këmbët. Qeveritarët aktualë, ish-shefi i policisë së Tiranës i asaj kohe dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës u përpoqën të sajojnë legjenda për vendosjen e bombës, manipuluan mediet, por së fundmi pas gjashtë muajsh, vetë shefi i ndjekjes së krimeve, Sokol Bizhga, u detyrua të pranojë në televizion se vënia e bombës në shtëpinë e Ylli Pangos ishte një vepër terroriste. Deri më sot qeveritarët as janë munduar e as kanë dashur të zbulojnë asgjë mbi autorët e kësaj vepre terroriste.
- Pas kësaj ngjarjeje dhe pas disa muajsh qëndrimi në shtrat Ylli Pango boton librin “Krim”, ku përshkruan atentatin ndaj tij dhe dyshimet për autorët e tij, si dhe bën analizën e kriminalitetit në Shqipëri gjatë qeverisjes socialiste.
- Që prej një viti është aktivizuar pranë kryetarit Berisha si hartues i platformës për arsimin për qeverisjen e ardhme të PD dhe si anëtar i KOP.
- Anëtar i Këshillit Kombëtar të PD.
* Pjesë nga CV e botuar në faqen e internetit të parlamentit
Vajza e videos: Ylli Pango na e lehtësoi punën
Në një interviste në “Top Story”, 23-vjeçarja që realizoi kamerën e fshehtë ndaj ish-ministrit Ylli Pango, e quajtur vajza X për arsye sigurie, ka rrëfyer disa nga detajet e momenteve të regjistrimit të video-skandalit.
“Ashtu sikurse e tha edhe Armir Shkurti, ideja ishte e rëndë, sepse bëhej fjalë për një pushtetar. Ajo që na lehtësoi punën ishte fakti se ministri kishte tentuar edhe me vajza të tjera. I gjithë stafi ishte i bindur se sjellja e Pangos do ishte e njëjtë me atë të sjelljes me vajza të tjera. Nga ana jonë nuk ka pasur asnjë lloj provokimi. Në çdo rast kam pasur komunikim me shefat e mi që më kanë mësuar deri diku, duke pasur parasysh pikërisht pikën e provokimit”, - është shprehur vajza X.
Në vijim të intervistës, ajo pohoi se u ndie keq në ato momente. “Si femër jam ndier shumë keq dhe në raste të tilla të bën të mendosh sa e vështirë është të jesh femër në këtë botë. Asgjë më pak dhe më shumë nga ajo që është transmetuar nuk ndodhi. Pata frikë, sepse gjërat mund të shkonin më thellë dhe në një pikë pa kthim për mua, duke parë reagimin e tij shumë agresiv”, - thekson gazetarja investigative e “Fiks Fare”.
Pyetjes nëse mendoi që gjithë skenarin ta linte përgjysmë, ajo i është përgjigjur duke thënë se shumë herë gjatë realizimit të kamerës së fshehtë, e mendoi këtë. “Mendova të lija gjithçka, por ana profesionale më shtyu të shkoja deri në fund. Më vjen mirë që u shërbeva gjithë atyre vajzave që sapo dalin nga bankat e universitetit dhe shpeshherë hasin këtë si kriter për t’u punësuar”, - përfundon vajza X.
TCH