E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministria Mbrojtjes cakton distancat e sigurisë

27/05/2010 Asgjësimi i municioneve

Këshilli i Ministrave ka miratuar projektligjin, i cili sanksionon ndalimin e realizimit të asgjësimit të municioneve në det dhe jashtë kufirit shtetëror. Sipas projektligjit, i cili sjell ndryshime në ligjin “Për përcaktimin e poligoneve të asgjësimit të municioneve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, Ministria e Mbrojtjes do të përcaktojë në përputhje me standardet e asgjësimit të municioneve distancat e sigurisë nga instalimet e shpimit dhe të shfrytëzimit të naftës, qendrat e banuara, rezervuarët, digat dhe vendet me rezerva të burimeve nënujore, monumentet e natyrës, zonat e mbrojtura, monumentet e kulturës të kategorisë I e II e zonat e tyre të mbrojtura dhe korridoret e hyrjes e të daljes së aviacionit civil në hapësirën ajrore të vendit. Projektligji i miratuar me mbështetjen e trupës ministrore saktëson se për përcaktimin e këtyre distancave ekspertët e Ministrisë së Mbrojtjes bashkëpunojnë me institucione të tjera përgjegjëse shtetërore. Në këtë mënyrë, për të realizuar përcaktimin e distancave, projektligji thotë se merret dhe mendimi i Agjencisë së Shërbimit Arkeologjik. Gjithashtu, për distancat e sigurisë nga digat e rezervuarëve të bujqësisë, Ministria e Mbrojtjes duhet të marrë mendimin e Komitetit Kombëtar të Digave të Mëdha. Në projektligj bëhen disa ndryshime në lidhje me vendet ku bëhen asgjësimet e municioneve. Kështu sanksionohet se poligonet për asgjësimin e barutit të Forcave të Armatosura bëhen në Xibrakë të Elbasanit dhe në poligonin Lumi i Oltës në Gramsh. Gjithashtu bëhen disa ndryshime në funksionimin e poligonit Kepi i Skënderbeut, që ndodhet në Mat, në poligonin Zharrë të Tepelenës, poligonin Mali i Tërpanit në Berat dhe poligonin Qafa e Barit në Labinot Mal.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›