E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Nuk ka pasur në mënyrë kategorike asnjë ultimatum”

27/05/2010 Berisha jep detaje mbi takimin me Ramën në Strasburg

Kreu i Qeverisë kritik ndaj mbështetësve të ultimatumeve

Kryeministri Sali Berisha ka deklaruar dje se në darkën e punës zhvilluar në Strasburg, për arritjen e kompromisit politik me opozitën, nuk është dhënë asnjë ultimatum. Ai ka hedhur poshtë në mënyrë kategorike qëndrimin e kryetarit të opozitës Edi Rama, sipas të cilit, zgjidhja e ngërçit politik duhet të vijë brenda 2 javëve. “Nuk ka pasur në mënyrë kategorike dhe absolute asnjë ultimatum. Se një vendi të lirë dhe një procesi zgjedhor të lirë e të ndershëm nuk mund të imagjinojë kush t’i japë ultimatume. Çdo interpretim i kësaj natyre është tërësisht interpretim primitiv, thellësisht primitiv”, ka deklaruar i prerë kreu i Qeverisë. Duke folur në mbledhjen e Qeverisë mbi takimin në Strasburg, Berisha theksoi se ata që imagjinojnë se Qeverisë i qenkan dhënë ultimatume, atyre u ka mbetur ora në kohërat më të vështira të këtij vendi. Edhe pse nuk iu referua asnjëherë drejtpërdrejt lidershipit të opozitës, qëndrimi i Berishës drejtohej pikërisht atje. Kryeministri përforcoi pozicionin për transparencën përmes respektimit të Kushtetutës, ligjeve dhe vendimeve të gjykatave. Sipas tij, gjatë takimit është vënë theksi për të respektuar ligjin themeltar të vendit, për të pasur dialog të padiskutueshëm midis forcave politike, për të studiuar të gjitha hapësirat e mundshme dhe për të arritur në një zgjidhje të ngërçit të krijuar. Por kurrsesi ai nuk pranoi të jenë dhënë ultimatume. “Meqenëse e kanë qarkulluar këtë gjë me kaq pasion, mund të them se përkundrazi, janë diskutuar opsione, për të cilat, për shkak të karakterit të tryezës, pasi ishte një darkë pune, nuk kam marrë dhe nuk marr përsipër t’i bëj publike. Atyre që i mbahen doktrinës së ultimatumeve mund t’u them se nuk u shërben. Doktrina e ultimatumeve është një doktrinë e papajtueshme me dialogun, është doktrinë e papajtueshme me kompromisin”, tha Berisha. Në komentet e tij për takimin në Strasburg dhe konfliktin me opozitën, e në mënyrë të veçantë me liderin e saj Rama, shefi i ekzekutivit tha se kundërshtarin nuk e konsideron armik. “Nuk udhëhiqem kurrë në mendjen time nga kulti i armikut, sepse është rruga më e papranueshme në rrafshin psikologjik”, tha ai.

Greva e urisë

Partia Socialiste menjëherë sapo mbylli mitingun e datës 30 prill, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nisi grevën e urisë. Në këtë grevë u futën 20 deputetë socialistë dhe rreth 200 mbështetës të kësaj force politike. Greva e urisë zgjati 19 ditë. Opozita ndërmori këtë hap proteste, duke vlerësuar se Qeveria nuk iu përgjigj kërkesës së saj për hapje të kutive të votimit dhe rinumërimin e votave të zgjedhjeve politike të qershorit 2009.

Takimi në Strasburg

Kryeministri Berisha dhe kryesocialisti Rama, më 20 maj u takuan të restorant “Krokodili” në Strasburg, në një darkë të thirrur nga kryetari i eurodeputetëve të djathtë në Parlamentin Evropian, Joseph Daul dhe kryetari i eurodeputetëve të socialistëve në PE, Martin Schulz. Qëllimi i këtij takimi ishte gjetja e një zgjidhjeje politike. Në këtë takim morën pjesë edhe komisioneri për Zgjerimin në BE, Stefan Fule e zyrtarë të tjerë të BE-së.

Çfarë pritet

Nisja e dialogut mes kreut të Qeverisë dhe shefit të opozitës në Strasburg solli uljen e toneve të sulmeve dhe kundërsulmeve politike. Përfshirja e zyrtarëve evropianë në ngërçin politik shqiptar mendohet se do të shtensionojë konfliktin. Gjatë këtyre ditëve pritet që opozita dhe mazhoranca të zhvillojë takime intensive me ekspertë të BE-së, për të gjetur një formulë për kompromis, e cila, nëse arrihet, do nënshkruhet nga Berisha dhe Rama.

Zgjedhjet 2009

Kryeministri Berisha vlerësoi se zgjedhjet e 2009-ës ishin më të mirat që janë zhvilluar ndonjëherë në vend. Ai nënvizoi se arritja e standardeve në këto zgjedhje u certifikua nga aktorët dhe faktorët më të rëndësishëm ndërkombëtarë. “Ne jemi një Qeveri legjitime, e dalë nga zgjedhjet më të mira në historinë e këtij vendi, nga zgjedhje të lira dhe të ndershme, të cilat kanë plotësuar standardet më kryesore të OSBE/ODIR-it”, tha ai.

Detyrimet ndaj opozitës

Shefi i ekzekutivit ka theksuar se Qeveria ka detyrime konstante morale ndaj opozitës dhe kjo nuk mund të mohohet. “Mbi bazën e këtij sensi përgjegjësie janë bërë oferta pa asnjë lloj kompleksi. Është ofruar vullneti për të marrë pjesë në komisionin hetimor, ç’ka s’ka asnjë detyrim, por sigurisht ka një detyrim moral ndaj opozitës derisa të fton dhe të tjera që dihen”, ka deklaruar Kryeministri Berisha gjatë mbledhjes së djeshme të Qeverisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›