E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria jep me koncesion ndërtimin e 7 HEC-eve

27/05/2010 Prodhimi i energjisë

Qeveria ka miratuar dje dhënien me koncesion të ndërtimit të disa hidrocentraleve, pasi shqyrtoi propozimet e përcjella nga Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës. Sipas njoftimit të zyrës së shtypit pranë Kryeministrisë, në bazë të të dhënave të planbiznesit të paraqitura nga shoqëritë e përzgjedhura, bëhet fjalë për projekte rentabël. Ekspertët e fushës vlerësojnë të rëndësishëm faktin se bazuar në vlerësimin e ndikimit në mjedis, këto hidrocentrale rezultojnë të kenë një ndikim minimal. Sipas vendimeve të Qeverisë, është dhënë me koncesion ndërtimi i shtatë hidrocentraleve. Bëhet fjalë për hidrocentralin “Flet 1” dhe “Flet 2”, për hidrocentralin “Kaskada e Hidrocentraleve në lumin Seta”, për hidrocentralin “TRUEN”, atë “Opar 1” dhe hidrocentralet e Strelcës. Dhënia me koncesion për ndërtimin e hidrocentraleve është pjesë e programit të Qeverisë, me qëllimin rritjen e prodhimit të energjisë në gjithë vendin dhe shfrytëzimin maksimal të burimeve hidrike. Kryeministri Sali Berisha ka deklaruar shpeshherë vullnetin e Qeverisë që drejton për shndërrimin e vendit në një superfuqi energjetike në rajon. Qeveria ka firmosur mbi 200 kontrata për rreth 200 hidrocentrale, ku projekti për hidrocentrale në kaskadën e Devollit e EVN dhe Statkraf është vlerësuar si një prej projekteve më të mëdha në Evropë. Nga 200 hidrocentralet e dhëna me koncesion, 36 janë në ndërtim. Qeveria ka theksuar se synimet e për t’u shndërruar në një superfuqi energjetike në rajon mbështeten në përpjekjet për diversifikimin e prodhimit të energjisë, projektet e mëdha në fushën hidrike, të energjisë eolike, nga biomasa, fosilet si nafta dhe gazi etj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›