Ministria: Ndëshkuam rastet e dhunës
TIRANE - Ministria e Brendshme hodhi poshtë dje reagimet politike për gjoja një revansh dhune të strukturave të policisë mbi qytetarët. "Rastet e dhunës së punonjësve të veçantë të policisë mbi qytetarët janë vetëm raste të izoluara të shkeljes së ligjit nga këta punonjës, për të cilat ata janë përballur me reagimin e ashpër të strukturave përkatëse shtetërore dhe ligjin", tha zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme. Sipas tij, midis ministrisë, Policisë së Shtetit dhe Institucionit të Avokatit të Popullit ekziston një komunikim i vazhdueshëm dhe bashkëpunim shumë i mirë. Sipas ministrisë, ky institucion mbetet i angazhuar për luftë me zero tolerancë ndaj krimit dhe për respektimin e të drejtave të njeriut.